Interi ka refuzuar ofertat e Arsenalit dhe Newcastle Unitedit për sulmuesin e talentuar Francesco Pio Esposito, duke e konsideruar italianin si një futbollist të paprekshëm në planet e klubit zikaltër.
Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Nicolo Schira, të dy klubet angleze kanë shfaqur interesim për transferimin e 21-vjeçarit, por Interi nuk ka qenë i gatshëm të negociojë largimin e tij.
Newcastle United madje ka provuar të bindë klubin italian me një ofertë prej 60 milionë eurosh, por përgjigjja e Interit ka qenë negative.
Zikaltrit kanë besim të madh te sulmuesi dhe këtë e kanë dëshmuar edhe me vazhdimin e kontratës së tij deri në vitin 2032, të nënshkruar në shtator.
Vlera e Espositos vazhdon të rritet nga ndeshja në ndeshje, falë paraqitjeve mbresëlënëse me Interin dhe Kombëtaren e Italisë.
Ai deri më tani ka realizuar shtatë gola dhe ka dhuruar dy asistime në të gjitha garat me fanellën e Interit, përfshirë edhe het-trikun e shënuar në barazimin e mbrëmshëm ndaj Atalantas.
Me këto paraqitje, Esposito është shndërruar në një nga talentet më të kërkuara të futbollit italian, por Interi duket se nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e tij, pavarësisht interesimit dhe ofertave nga klubet e Ligës Premier.




