LSDM-ja opozitare ka ngritur akuza të reja për rastin e Alta Bankës, duke pretenduar se kryeministri Hristijan Mickoski dhe guvernatori Trajko Sllaveski kanë mundësuar hyrjen e saj në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht sanksioneve të mëparshme në Austri.
Në një konferencë për media, zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, deklaroi se Alta Group ishte sanksionuar me vendim të formës së prerë në vitin 2024 nga autoriteti financiar austriak FMA, ndërsa banka ishte refuzuar edhe në Mal të Zi.
Sipas Kuzeskës, neni 13 i Ligjit për Bankat ndalon që subjekte të sanksionuara të fitojnë pjesëmarrje të kualifikuar në një bankë, prandaj Sllaveski, sipas saj, nuk duhej ta lejonte këtë transaksion.
“Mickoski jo vetëm që i mundësoi Davor Macurës të blinte bankë, por edhe kompani sigurimesh”, deklaroi Kuzeska, duke pretenduar se Qeveria kishte miratuar vendime që favorizonin rritjen e pjesëmarrjes së tij në aksione në dëm të shtetit.
LSDM kërkon që Prokuroria të hetojë rolin e Mickoskit, veprimet e Sllaveskit, vendimet qeveritare dhe origjinën e kapitalit.
“Nëse Prokuroria nuk vepron, LSDM do të paraqesë kallëzime penale për rastin Alta Banka”, paralajmëroi Kuzeska.


