Bashkimi Evropian do të jetë i pranishëm në bisedimet për Ukrainën, të cilat pritet të zhvillohen këtë javë në Abu Dhabi. Lajmi u konfirmua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një bisede telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Përmes një deklarate, Von der Leyen bëri të ditur se gjatë bisedës me Zelenskyn diskutoi përpjekjet diplomatike për arritjen e paqes dhe takimet e planifikuara në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Diskutuam për përpjekjet e vazhdueshme për paqe dhe bisedimet që do të zhvillohen këtë javë në Abu Dhabi, ku BE-ja do të jetë e pranishme së bashku me partnerët tanë. Pres me padurim takimin me presidentin Zelensky në Dublin, më vonë gjatë kësaj jave, si dhe diskutimet me liderët e tjerë për hapat e mëtejshëm drejt paqes”, deklaroi Von der Leyen.
Gjatë konferencës së sotme për shtyp, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paola Pinho, theksoi se BE-ja synon të paraqitet me një qëndrim të përbashkët në këto bisedime dhe të mbrojë interesat e saj, pasi zhvillimet në Ukrainë lidhen drejtpërdrejt me sigurinë evropiane.
Ajo bëri të ditur se një nga qëndrimet që BE-ja do të përcjellë në Abu Dhabi është se diskutimet për arkitekturën e sigurisë evropiane duhet të zhvillohen pas përfundimit të luftës.
Edhe pse Pinho nuk bëri të ditur se kush do ta përfaqësojë konkretisht Bashkimin Evropian në takim, sipas Euronews, delegacioni i përbashkët i Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian do të drejtohet nga Björn Seibert, shefi i kabinetit të Ursula von der Leyen, dhe Anna-Maria Boura, këshilltarja kryesore për politikën e jashtme e presidentit të Këshillit Evropian, António Costa.
Diskutimet do të vijojnë edhe në nivel liderësh evropianë. Sipas zëdhënëses së Komisionit, përpjekjet për paqe në Ukrainë do të jenë në fokus të takimit jozyrtar të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 13 nëntor në Dublin, si dhe të takimit në kuadër të Forumit të Berlinit.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë përpjekjet diplomatike, forcimi i mbështetjes për Ukrainën dhe çështjet që lidhen me financimin e saj.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian njoftoi se ka nisur një vizitë në Rumani dhe Bullgari, duke paralajmëruar për përshkallëzimin e kërcënimeve të sigurisë në Detin e Zi dhe shtimin e sulmeve, të cilat kanë shkaktuar viktima të pafajshme.
Von der Leyen theksoi se liria e lundrimit në Detin e Zi duhet të rikthehet dhe të garantohet. Ajo përsëriti gjithashtu mbështetjen për thirrjen e presidentit ukrainas Zelensky për një armëpushim që të përfshijë infrastrukturën ushqimore dhe energjetike.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paola Pinho, e cilësoi dramatike situatën humanitare në Ukrainë, duke akuzuar Rusinë se po godet qëllimisht infrastrukturën nga e cila varet vendi për të përballuar muajt e dimrit.
“Ne nuk do ta lejojmë Rusinë ta gjunjëzojë Ukrainën përmes të ftohtit”, deklaroi ajo, duke shtuar se BE-ja po mobilizohet për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve bazë, si furnizimi me energji elektrike, ngrohje dhe ujë.


