Drejtoria e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike, MEPSO, do të ndajë 15 bursa për studentë për vitin akademik 2026/2027, ka bërë të ditur drejtori i këtij institucioni, Burim Latifi.
Sipas Latifit, bursat do të ndahen në pesë universitete në vend, përkatësisht nga tri bursa për secilin institucion: Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup, Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, Universitetin e Tetovës, Fakultetin Teknik në Manastir dhe Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit në Shkup.
Secila bursë do të ketë vlerë mujore prej 12.000 denarësh, me qëllim të mbështetjes së studentëve dhe krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.
Latifi thekson se synimi i MEPSO-s nuk është vetëm mbështetja financiare, por edhe identifikimi i studentëve më të mirë dhe më të motivuar, duke u krijuar mundësi që në të ardhmen t’i bashkohen ekipit të këtij institucioni dhe të kontribuojnë në zhvillimin e sektorit energjetik.
“Besoj se investimi në dije dhe në gjeneratat e reja është investimi më i sigurt për të ardhmen. Investojmë në dije sot, për një sektor energjetik më të fuqishëm nesër!”, ka shkruar Latifi.


