Zëvendësimi i kripës së zakonshme me kripë të pasuruar me kalium mund të parandalojë rreth 2.96 milionë vdekje dhe 10.17 milionë raste të reja të sëmundjeve kardiovaskulare dhe kronike të veshkave çdo vit në botë. Ky është rezultati i një studimi të realizuar nga George Institute for Global Health në Australi, i cili analizoi të dhënat e 193 vendeve.
Kripa alternative përmban klorur kaliumi në vend të një pjese të klorurit të natriumit që gjendet në kripën e zakonshme. Ajo ka pamje dhe shije të ngjashme, por ndihmon në adresimin e dy faktorëve që ndikojnë në rritjen e tensionit të gjakut: konsumit të tepërt të natriumit dhe marrjes së pamjaftueshme të kaliumit.
Sipas studiuesve, edhe një kalim i pjesshëm mund të sjellë përfitime të konsiderueshme. Vetëm zëvendësimi i kripës që përdoret në gatimet familjare mund të parandalojë 1.85 milionë vdekje dhe 6.19 milionë raste sëmundjesh në vit. Ndërsa përdorimi i saj në ushqimet e përpunuara dhe në restorante mund të parandalojë 1.56 milionë vdekje të tjera.
Ndikimi mund të jetë veçanërisht i madh në Kinë, ku studiuesit vlerësojnë se kalimi i plotë në kripën me kalium mund të parandalojë 1.08 milionë vdekje në vit. Në Indi, shifra mund të arrijë në afro 400 mijë.
Megjithatë, kjo alternativë nuk rekomandohet pa konsultë mjekësore për personat me sëmundje të avancuara të veshkave dhe ata që përdorin medikamente që rrisin nivelin e kaliumit në gjak, pasi mund të shkaktojë hiperkalemi, një gjendje që karakterizohet nga teprica e kaliumit në gjak.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka mbështetur përdorimin e kripës së pasuruar me kalium që në vitin 2025, si një masë për uljen e tensionit të gjakut dhe rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare.


