Sipas studimeve shkencore, shumica e njerëzve nuk konsumojnë sasinë e duhur të proteinave, veçanërisht në moshë të madhe.
Me kalimin e viteve, organizmi e ka më të vështirë të përdorë proteinat për ndërtimin dhe ruajtjen e muskujve. Ky proces njihet si rezistenca anabolike dhe bën që të moshuarit të kenë nevojë për më shumë proteina sesa të rinjtë.
Megjithatë, studimet tregojnë se ndodh e kundërta. Një studim i Universitetit të Birminghamit zbuloi se të moshuarit konsumojnë më pak proteina sesa personat e moshës së mesme, ndërsa këta të fundit konsumojnë më pak se të rinjtë. Ndërkohë, një studim i Universitetit të Sheffield tregoi se më pak se 15% e personave mbi 65 vjeç përmbushin sasinë e rekomanduar të proteinave për moshën e tyre.
Rekomandimi bazë është 0.75 gramë proteina për çdo kilogram të peshës trupore në ditë. Por ekspertët sugjerojnë që të moshuarit të konsumojnë 1 deri në 1.2 gramë për kilogram, ndërsa personat që po humbasin masë muskulore mund të kenë nevojë deri në 1.5 gramë.
Mungesa e proteinave mund të përshpejtojë humbjen e muskujve, e cila në moshë të madhe mund të kalojë 3% në vit. Kjo rrit rrezikun e rrëzimeve, dobësimit fizik dhe humbjes së pavarësisë në jetën e përditshme.
Ekspertët këshillojnë që proteinat të shpërndahen gjatë vakteve, duke synuar rreth 25 gramë në secilin prej tyre. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mëngjesit, pasi zakonisht është vakti ku konsumohet sasia më e vogël e proteinave. Produktet e bulmetit dhe ushqimet e buta ose të lëngshme mund të jenë gjithashtu një zgjidhje për personat që kanë vështirësi në përtypje ose mungesë oreksi.


