Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka deklaruar se 5 nëntori i vitit 2020 dhe 16 shtatori i këtij viti janë ditët më të zeza në kalendarin e ngjarjeve historike të kombit shqiptar dhe të shtetit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai ka kujtuar arrestimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke theksuar se me disa prej tyre kishte qëndruar në burgjet serbe, ndërsa me të gjithë kishte qenë në istikamet e luftës për liri dhe shtet.
“Me disa prej këtyre burrave kam qenë në kazamatet serbe dhe me të gjithë në istikamet për liri dhe shtet”, tha Reçica.
Ai ka vlerësuar rolin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës, duke thënë se luftëtarët e saj së bashku me popullin dhe në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë i dhanë fund epokës së robërisë.
“Ata bashkë me luftëtarët e UÇK-së, popullin e Kosovës, në bashkëpunim të plotë me aleatët tanë SHBA-në, NATO-në dhe shtetet tjera mike të Kosovës, me trimërinë dhe mençurinë e tyre varrosën epokën e robërisë për t’i hapur rrugë epokës së lirisë”, shtoi ai.
Reçica është shprehur edhe për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke thënë se ato janë themeluar pasi Kosova nuk kishte çfarë të fshihte.
“Zyrat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës e kemi themeluar sepse nuk kemi pasur çfarë të fshehim. Por duhet pasur parasysh se Gjykata Speciale zanafillën e ka në Serbi dhe në Rusi”, potencoi ai.


