Një histori e pazakontë ka ndodhur me Mate Rimac, drejtuesin e kompanisë prestigjioze Bugatti, të cilit i kanë vjedhur një makinë Chiron me vlerë rreth 3 milionë euro. Shkak për grabitjen u bë një pakujdesi e vetë sipërmarrësit, i cili kishte lënë çelësat brenda automjetit, të parkuar në ambientet e kompanisë.
Ngjarjen e ka treguar vetë Rimac përmes rrjeteve sociale. Ai shpjegoi se zakonisht shkon në punë me Chiron-in dhe e lë makinën të parkuar pa u shqetësuar, pasi e konsideron Kroacinë një vend të sigurt. Sipas tij, e kishte bërë zakon t’i linte çelësat brenda automjeteve, pasi nuk kishte pasur më parë arsye të shqetësohej për vjedhje.
Megjithatë, këtë herë dikush përfitoi nga rasti dhe u largua me makinën luksoze. Rimac e kuptoi shpejt zhdukjen e saj dhe duke kontrolluar vendndodhjen në kohë reale, zbuloi se automjeti po lëvizte në drejtim të Sllovenisë. Pasi njoftoi autoritetet, ai u vu në ndjekje të makinës me një Porsche 911.
Sipas rrëfimit, autori arriti të mbërrinte deri në Austri, ku u ndalua nga policia në një pikë kontrolli. Ai dyshohet se kishte shkuar më parë te kompania e Rimac për të kërkuar një vend pune, por pasi pa Bugatti-n me çelësat brenda, vendosi ta merrte dhe të largohej me të.
Ngjarja përfundoi pa pasoja të tjera dhe makina u rikuperua. Për Rimac, kjo eksperiencë shërbeu si një mësim i kushtueshëm: edhe në vendet që konsiderohen të sigurta, çelësat e një makine me vlerë miliona euro është më mirë të mbahen në xhep.


