Një sulm i rëndë në banesë ka tronditur një nga zonat më të pasura të Torontos në Kanada. CEO-ja i kompanisë “Mac Group”, David Morton dhe tre pjesëtarë të familjes së tij kanë mbetur të plagosur rëndë, pasi tre persona të maskuar hynë me forcë në vilën e tyre luksoze rreth orës 03:45 të mëngjesit të së dielës.
Sipas policisë, dy prej autorëve ishin të armatosur me pistoleta, ndërsa i treti mbante një çekiç. Gjatë sulmit, Morton dhe dy vajzat e tij të rritura, Maggie dhe Cristina Zohil-Morton u qëlluan me armë zjarri. Bashkëshortja e tij, Doriana Zohil u godit me çekiç.
Të katër anëtarët e familjes u transportuan me urgjencë në spital. Inspektorja e Policisë së Torontos, Kristy Smith bëri të ditur se dy prej tyre kanë pësuar dëmtime që mund të ndikojnë përgjithmonë në jetën e tyre, ndërsa dy të tjerët kanë plagë të rënda, por që nuk u rrezikojnë jetën. Autoritetet nuk specifikuan se cilat prej dëmtimeve i përkasin secilit familjar.
Hetuesit bëjnë me dije se brenda banesës pati përleshje pasi autorët kërkuan sende me vlerë. Gjatë incidentit, ata qëlluan disa herë me armë zjarri. Ende nuk dihet nëse arritën të merrnin sende nga shtëpia. Sipas një burimi të cituar nga “Toronto Sun”, familjarët tentuan t’u kundërviheshin sulmuesve përpara se të qëlloheshin. Po sipas këtij burimi, Morton dhe njëra prej vajzave u plagosën në këmbë, ndërsa vajza tjetër në krah.
Pas sulmit, tre personat e maskuar u larguan me një automjet tip SUV. Policia nuk ka dhënë ende një përshkrim të autorëve, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë së banesës i janë dorëzuar hetuesve.
Inspektorja Smith deklaroi se deri tani nuk ka prova që tregojnë se familja ishte shënjestruar posaçërisht dhe se motivi i sulmit mbetet i paqartë. Ngjarja vjen në një kohë kur në zonat luksoze të Torontos janë raportuar raste të shtuara të grabitjeve të dhunshme në banesa.


