Vendimi i Gjykatës Supreme për shfuqizimin e aktgjykimeve ndaj ish-drejtorëve të Spitalit Klinik të Tetovës, Florim Besimi dhe Artan Etemi, ka nxitur reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Deputeti dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Brane Petrushevski, akuzoi kryetarin e Gjykatës Supreme, Afrim Fidani, si dhe liderët e LSDM-së dhe BDI-së, Venkо Filipçe dhe Ali Ahmeti, për ndikim të pretenduar në vendimmarrjen gjyqësore.
„Filipçe është i lirë, tani edhe Besimi dhe Etemi“, deklaroi Petrushevski, duke pretenduar se vendimi i Gjykatës Supreme është rezultat i ndikimeve politike.
Ai rikujtoi se në shkallën e parë, ish-drejtorët ishin dënuar me nga një vit e gjysmë burg, ndërsa Gjykata e Apelit ua kishte rritur dënimet në nga tre vjet burg.
Me vendimin e fundit, Gjykata Supreme i shfuqizoi aktgjykimet dhe e ktheu lëndën në rigjykim.
Petrushevski vlerësoi se ky vendim është goditje për familjet e viktimave të zjarrit tragjik në Spitalin Modular të Tetovës, duke rikthyer në qendër të debatit politik çështjen e përgjegjësisë për tragjedinë.


