Një raketë balistike ruse goditi mbrëmjen e së martës një central energjetik në Kiev, ndërsa nga sulmi u godit edhe një pallat banimi. Sipas autoriteteve ukrainase, dy persona humbën jetën dhe 21 të tjerë mbetën të plagosur, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se objektivi kryesor i sulmit ishte centrali CHPP-4, një prej impianteve më të rëndësishme energjetike të kryeqytetit. Në një reagim në rrjetin social X, ai kritikoi mungesën e paralajmërimit nga aleatët perëndimorë për lëshimin e raketave balistike, duke theksuar se sistemet ukrainase i zbuluan ato vetëm kur ishin pranë Kievit.
Sulmi ka shtuar shqetësimet në Ukrainë për vazhdimësinë e bashkëpunimit me aleatët perëndimorë, veçanërisht me shërbimet amerikane të inteligjencës. Kievi mbështetet te informacionet e tyre për të paralajmëruar sulmet ruse dhe për të planifikuar goditjet ndaj objektivave në territorin rus. Tensionet e fundit mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan Donald Trump kanë shtuar frikën për një kufizim të mundshëm të kësaj mbështetjeje.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi bilancin e viktimave dhe të të plagosurve. Pas goditjes së pallatit të banimit, në ndërtesë shpërtheu një zjarr, ndërsa autoritetet vijojnë të vlerësojnë pasojat e sulmit. Ngjarja shënon një tjetër goditje ndaj infrastrukturës energjetike dhe zonave të banuara të kryeqytetit ukrainas.


