Operacioni i Papa Leo XIV përfundon me sukses, i hiqet tumori kanceroz nga mushkëria
Papa Leo XIV është diagnostikuar me adenokarcinomë pulmonare, një lloj kanceri në mushkëri, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin Gemelli në Romë. Sipas njoftimit zyrtar të Vatikanit, operacioni përfundoi me sukses dhe pa komplikacione.
Ndërhyrja zgjati rreth 90 minuta, gjatë së cilës mjekët hoqën lobin e poshtëm të mushkërisë së djathtë të kreut të Kishës Katolike. Pas operacionit, Papa u zgjua normalisht dhe, pas një periudhe të shkurtër vëzhgimi, u kthye në dhomën e tij në spital.
Sipas njoftimit mjekësor, masa në mushkëri ishte zbuluar gjatë kontrolleve të mëparshme. Diagnoza u konfirmua nga analizat e indit gjatë operacionit, ndërsa ekzaminime të mëtejshme pritet të japin më shumë informacion mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Papa pritet të qëndrojë rreth një javë në spital për rikuperim, ndërsa aktivitetet e tij publike janë anuluar deri më 20 tetor. Lajmi ka ngjallur shqetësim te besimtarët katolikë në mbarë botën, të cilët kanë shprehur mesazhe mbështetjeje dhe lutje për shërimin e tij.
Ndërkohë, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, u shpreh se lajmi ishte i papritur, por vlerësoi qetësinë e Papës. Në ditët në vijim, vëmendja do të jetë te rikuperimi i tij dhe informacionet e reja që do të bëhen publike nga autoritetet e Vatikanit.
/vizionplus.tv


