Pak orë pasi Shtëpia e Bardhë i paralajmëroi shkarkimin nëpërmjet sekretares se shtypit Katie Zacharia, ambasadorja e SHBA në Greqi, Kimberly Guilfoyle ka dorëzuar letrën e dorëheqjes.
Vetë Presidenti Trump i pyetur nga gazetarët ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë, deklaroi se nuk po i pëlqenin lajmet e ditëve të fundit në lidhje me diplomaten.
“Ajo nuk ishte anëtare e familjes sime. Ajo, mendoj, ka dalë me djalin tim shumë kohë më pare. Ajo po bënte një punë të mirë, por neve nuk na pëlqente ajo që po lexonim, kështu që nuk fola me të, por ajo nuk do të jetë më aty”, tha Trump.
Në një postim të gjatë në X, Guilfoyle i kundërshtoi akuzat ndaj saj për marrjen e shumave të parave nga biznesmenët.
“Këto akuza janë të rreme dhe kam ndërmend të mbroj me forcë emrin tim, reputacionin tim dhe integritetin tim. Ia kam kushtuar jetën time profesionale luftës për drejtësi, mbrojtjes së asaj që është e drejtë dhe mbrojtjes së vlerave që e bëjnë Amerikën të jashtëzakonshme. Nuk do të lejoj që akuzat e rreme të përcaktojnë dekadat e mia të shërbimit publik”, tha Guilfoyle.
Shkarkimi i Guilfoyle vjen pas raportimeve se ajo kërkoi para në këmbim të ofrimit të aksesit në figurat e administratës Trump, përpara se të konfirmohej në pozicionin e saj, pranoi dhurata të majme si ambasadore dhe solli në takime zyrtare një lobist për një kompani greke ndërtimi.


