Dogana e Kosovës ka konfiskuar mjete monetare të padeklaruara në vlerë të përgjithshme prej 13.353,98 eurosh gjatë kontrollit të një automjeti në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit.
Sipas njoftimit, rasti është evidentuar më 3 tetor 2026, kur zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë kanë ndaluar për kontroll një automjet të tipit Shkoda Superb, me targa të Maqedonisë së Veriut. Automjeti drejtohej nga një shtetas i këtij vendi.
I pyetur nga zyrtarët doganorë nëse kishte diçka për të deklaruar, drejtuesi është përgjigjur se nuk kishte asgjë.
“Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët kanë gjetur të fshehura 11.980 euro dhe 84.500 denarë maqedonas. Sipas Doganës së Kosovës, këto mjete nuk ishin deklaruar në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Pas konvertimit të denarëve në euro, shuma totale ka arritur në 13.353,98 euro. Mjetet monetare janë konfiskuar nga autoritetet doganore.
Në njoftim, Dogana ka rikujtuar detyrimin ligjor për deklarimin e mjeteve monetare në vlerë prej 10 mijë eurosh ose më shumë, apo kundërvlerën në valuta të tjera, nga çdo person që hyn ose del nga Kosova. Sipas saj, ky detyrim përcaktohet në nenin 33, paragrafi 1, të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.


