Protestat me moton “Jo në emrin tim” do të vazhdojnë sonte për të 17-tën natë me radhë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, ka njoftuar se nga sonte do të ndryshojë edhe orari i mbajtjes së protestës. Sipas tij, qytetarët do të mblidhen në shesh nga ora 19:00.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haziri ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e radhës.
“KUJDES – NGA SONTE NDRYSHON ORARI! ORA 19:00. Sheshi ‘Skënderbeu’”, ka shkruar Haziri.
Ai ka theksuar se protesta po hyn në natën e 17-të të organizimit të njëpasnjëshëm, duke përsëritur thirrjen për qytetarët që t’i bashkohen tubimit.
“17 net rresht. Për UÇK-në. Për drejtësi. Shihemi sonte në ora 19:00!”, ka shkruar Haziri.
Protestat “Jo në emrin tim” kanë nisur pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe janë mbajtur për disa net radhazi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.



