
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se mosmarrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është dypalëshe, por në proces duhet të përfshihet edhe Bashkimi Evropian.
Sipas tij, takimet e deritanishme bilaterale nuk kanë sjellë rezultate konkrete, ndërsa BE-ja duhet të dëgjojë argumentet e të dyja palëve.
Mickoski tha se Qeveria nuk dëshiron të hyjë në një proces integrimi evropian pa garanci se kushtet nuk do të ndryshojnë vazhdimisht. Ai paralajmëroi se kërkesat e reja mund të shfaqen gjatë procesit të negociatave dhe të krijojnë mundësi të reja për bllokime.
Ai theksoi se Shkupi ka propozime për tejkalimin e mosmarrëveshjes dhe se kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me Bullgarinë, duke kujtuar se të dyja vendet janë partnere në NATO.
Mickoski shtoi se Qeveria po i prezanton qëndrimet dhe argumentet e saj edhe para partnerëve strategjikë, përfshirë SHBA-në.


