Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muamet Hoxha, drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Muhamed Ali, dhe Vladimir Burevski, në emër të kompanisë Modirum Platforms nga Shkupi, nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për avancimin e zbulimit të hershëm të zjarreve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Me Memorandumin e nënshkruar vendoset një kornizë për realizimin e një sistemi pilot për video-monitorim të deponive, i cili, përmes kamerave moderne, videoanalitikës inteligjente dhe inteligjencës artificiale, do të mundësojë zbulimin në kohë të tymit, zjarreve dhe rreziqeve të tjera.
Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) do të sigurojë monitorim 24-orësh dhe, në rast të identifikimit të rrezikut, do të njoftojë institucionet kompetente, duke mundësuar reagim më të shpejtë dhe koordinim më të mirë.
Modirum Platforms, e cila me teknologjinë dhe ekspertizën e saj kontribuon në iniciativa për mbrojtjen e mjedisit, parandalimin e rreziqeve dhe avancimin e sigurisë publike, do të sigurojë pajisjet për sistemin për përdorim të përkohshëm në periudhë prej një viti, si pjesë e mbështetjes së saj për iniciativa me interes publik.
Me këtë projekt pilot, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor avancon zbatimin e teknologjive moderne digjitale në mbrojtjen e mjedisit, me fokus në parandalimin, paralajmërimin e hershëm dhe reagimin më efikas.
Rezultatet e fazës pilot do të shërbejnë si bazë për shqyrtimin e mundësive për zgjerimin e sistemit në nivel shtetëror.


