Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, paralajmëroi se gjendja financiare në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor po përkeqësohet dhe vlerësoi se varësia në rritje nga Buxheti i shtetit mund të krijojë rreziqe për pagesën e pensioneve.
Në një tribunë në Aerodrom, Filipçe deklaroi se, sipas përllogaritjeve të tij, mungesa në Fondin Pensional është rritur brenda dy viteve nga rreth 500 milionë në një miliard euro. Ai pretendon se kjo diferencë duhet të mbulohet me mjete nga Buxheti i shtetit dhe me huamarrje të reja.
Strategjia zyrtare fiskale parashikon që gjatë vitit 2026 nga Buxheti në Fondin Pensional të transferohen rreth 50,7 miliardë denarë. Sipas të njëjtit dokument, transfertat buxhetore duhet të sigurojnë rreth 36 për qind të të ardhurave të përgjithshme të Fondit.
Filipçe vlerësoi gjithashtu se rritja e huamarrjes nuk do të sjellë rritje ekonomike nëse paratë përdoren kryesisht për detyrime rrjedhëse, si pagat dhe pensionet. Sipas tij, një politikë e tillë mund ta zgjerojë më tej deficitin buxhetor.
Kreu i LSDM-së e ndërlidhi situatën ekonomike edhe me rrugën evropiane të vendit, duke pretenduar se ngecja në integrimin evropian mund të zvogëlojë mundësitë për qasje në fondet evropiane dhe të rrisë më tej varësinë nga huamarrja.


