Qeveria po prezanton Programin Kombëtar të Strehimit për “Shqipërinë 2030 në BE”. Gjatë fjalës së saj, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se ky program synon të hapë një kapitull të ri për politikat e strehimit në vend.
“Sot duam të hapim një kapitull të ri për politikat e strehimit. Ka ardhur momenti që paratë të investohen në strehim, që të kujdesemi për të gjitha kategoritë që janë në kërkim të një banese, sepse kultura jonë është e lidhur rrënjësisht me pronën dhe banesën. Kemi përgatitur një paketë ligjore dhe shumë shpejtë do të dalim me instrumentat që do të lançohen“, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, qeveria shqiptare e ka parë strehimin si një politikë sociale për shtresat në nevojë dhe ka ndërtuar instrumente të ndryshme që, sipas saj, kanë rezultuar të suksesshme. Ministrja bëri të ditur se deri më tani janë mbështetur 30 mijë familje shqiptare përmes politikave të strehimit, ndërsa rreth 100 mijë banorë kanë përfituar nga politikat e subvencioneve.


