Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar zhvillimet në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ku nuk u arrit të votohej për nënkryetarët e propozuar nga LDK-ja dhe PDK-ja. Ai ka folur edhe për deklaratën e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, si dhe mundësinë që LDK-ja të tërheqë kandidaturën e Kujtim Shalës për nënkryetar të Kuvendit.
Haziri, në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, e ka cilësuar të papranueshme gjuhën e përdorur nga deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë seancës së Kuvendit.
Megjithatë, sipas tij, kjo situatë mund të jetë përdorur si pretekst për ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen e vazhdimit të saj.
“Në rastin e Listës Serbe, përdorimi i fjalorit nga përfaqësuesit e Listës Serbe ka qenë pak a shumë i njëjtë edhe në zgjedhjet e kaluara. Mirëpo, tani nuk është mirë të përdoret një terminologji e tillë. Është e papranueshme”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se Kuvendi i Kosovës është institucioni që bart sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe se në sallën plenare duhet të respektohen rregullat dhe kodi i sjelljes.
“Duhet ta themi edhe njëherë, sovranitetin e Republikës, në kuptimin fizik dhe kushtetues, e ka vetëm një institucion në Kosovë, që është Kuvendi i Kosovës. Brenda asaj salle ka kode të sjelljes, kode të veshjes, kode të deklarimeve, sepse nuk guxon të dilet jashtë mënyrës së përcaktuar”, u shpreh deputeti i LDK-së.
Haziri tha se ndaj deklaratës pati reagime edhe nga deputetët, ndërsa sipas tij, më pas u përdor situata për të kaluar në pauzë dhe për të zhvilluar një takim me shefat e grupeve parlamentare.
“Fjalori ka qenë i papranueshëm dhe reagimi ka qenë edhe i deputetëve, jo vetëm i kryetares Albulena Haxhiu. U përdor më pas edhe ky mekanizëm politik, duke thënë ‘hajde në pauzë’, për ta tejkaluar këtë situatë dhe për të zhvilluar takim me shefat e grupeve parlamentare. Nuk është gjetur bashkëpunim për të vazhduar më tutje. Unë mendoj se më shumë ka qenë pretekst sesa diçka tjetër”, deklaroi Haziri.
I pyetur nëse LDK-ja po shqyrton mundësinë që të tërheqë kandidaturën e Kujtim Shalës për nënkryetar të Kuvendit dhe nëse ka një “plan B”, Haziri tha se kandidaturat e partisë janë të menduara mirë dhe se nuk bëhet fjalë për emra që mund të tërhiqen për shkak të presioneve politike.
“Nuk na ka ndodhur asnjëherë neve, sepse kandidaturat i mendojmë mirë para se t’i propozojmë. Nuk kemi pasur rast në asnjë situatë politike që ne duhet t’i bëjmë kompromis kandidaturat, sepse nuk janë emra për t’u bërë kompromis”, tha Haziri.
Ai e konsideroi të padrejtë situatën aktuale dhe tha se marrëveshjet politike mund të bëhen për çështje të përfaqësimit dhe formës së funksionimit, por jo për të drejtën kushtetuese të një partie për të propozuar nënkryetarin.
“Nuk është drejt kjo që po ndodh. Normalisht, për të bërë marrëveshje politike, merresh vesh edhe për përfaqësim, edhe për format dhe gjithçka tjetër. Por kjo është çështje që i takon si e drejtë kushtetuese LDK-së. Në këtë rast, LDK-së i takon nënkryetari dhe është votim formal në këtë vend”, ka thënë tutje Haziri.


