Deputeti demokrat, Flamur Noka, ka akuzuar mazhorancën se nuk meriton të qeverisë, pasi nuk përfaqëson qytetarët.
Sipas tij, mjafton të shohësh se si është rrethuar parlamenti për të kuptuar se kjo qeveri nuk qeveris më. Sipas tij, shqiptarët sot janë të gjithë në shesh, pasi ua kanë nxirë jetën qytetarëve.
“Si çdo sesion, edhe ky sesion, kur dëgjon përfaqësuesit e narkoshtetit, thua: ‘Ore, mos kanë ardhur sot këta në pushtet?’ Dhe bën pyetjen: ‘Kush i bëri gjithë këto gjëma këtij vendi?’
Në çdo sesion, kur flasin për fjalë, e bëjnë një njeri që nuk jeton në Shqipëri të qajë. Por çdo njeri që jeton në Shqipëri, kur dëgjon skenarin dhe shikon lotët e krokodilëve, ndjen neveri dhe fik televizorin.
Këta thonë çdo sesion: ‘Ejani ta nisim nga fillimi, të fshijmë me gomë gjithçka, hajde t’i harrojmë të gjitha dhe të fillojmë nga fillimi.’ Një fëmijë që ka qenë 5 vjeç kur ishit ju në pushtet, sot është 18-vjeçar. (8% e 18-vjeçarëve duan të ikin nga ky vend. Se ju është mërzitur vendi, familja? Jo, por sepse për 13 vite ju ua keni nxirë jetën duke i vjedhur, duke i plaçkitur.
Zero shërbim në 13 vite. Zero siguri, vetëm krim, zero empati kjo qeveri. Se tani kanë filluar të artikulojnë termin empati. A mund të flasë katili për empati?
Kur e nisën në 2013 me ‘burg, burg, burg’, për një njeri që s’kishte 500 lekë të vjetra për dritat. E pra, kjo është empatia e terroristit Edi Rama.
Shqipërinë e keni kthyer në tokë të djegur. Ndaj Gjenerata Z është atje në protestë, sepse ju jeni mallkimi i këtij vendi, asgjë tjetër më shumë.
E shohim të rrethuar këtë parlament. Po pse, në gjendje lufte jemi ne? Kujt i trembeni? Kjo tregon se ju nuk përfaqësoni qytetarët, ju përfaqësoni krimin e organizuar, kartelet, kusarët, ndaj keni frikë nga qytetarët.
Ju jeni organizatë kriminale, kreu juaj ka frikë të vijë këtu, ai ka frikë qytetarët atje. Ky është rrethim i turpshëm. Ky parlament nuk meriton të ekzistojë, meriton të shkrihet”, tha Noka.


