Zv.kryeministrja, Albana Koçiu, ka dënuar veprimin e bërë nga protestueset, të cilat kanë ndjekur këmba-këmbës deputeten socialiste, Iris Luarasi, ndërsa i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë.
Në postimin e saj, Koçiu shkruan se kjo nuk është as protestë dhe as revoltë, por dhunë, e cila duhet dënuar me forcë.
Sipas saj, dhuna ndaj përfaqësuesve të institucioneve dhe deputetëve, veçanërisht ndaj grave, si në rastin e sotëm ndaj Iris Luarasit, është një akt i turpshëm.
Postimi i Koçiut:
Kjo nuk është as protestë, as shprehje e zemërimit qytetar. Është dhunë e mirëfilltë dhe e shëmtuar, e cila duhet dënuar me forcë, pa asnjë hezitim dhe pa asnjë justifikim.
Dhuna ndaj përfaqësuesve të institucioneve dhe deputetëve, veçanërisht ndaj grave, si në rastin e sotëm ndaj Iris Luarasit, është një akt i turpshëm. Aq më e rëndë bëhet kur nxitet nga vetë gratë. Sjellje të tilla nuk përfaqësojnë dhe nuk mund të përfaqësojnë Shqipërinë europiane.


