Carly Rae Jepsen ka zbuluar për herë të parë emrin e djalit të saj, duke treguar gjithashtu se zgjedhja mund të jetë ndikuar nga një prej serialeve të saj të preferuara.
Këngëtarja 40-vjeçare dhe bashkëshorti i saj, producenti Cole M.G.N., u bënë prindër për herë të parë në mars të këtij viti. Djali i tyre quhet Ilya, një emër që lidhet me personazhin kryesor të serialit “Heated Rivalry”.
Në një intervistë për “The Hollywood Reporter”, Jepsen foli për serialin “Heated Rivalry”, të cilin e përshkroi si një produksion të jashtëzakonshëm.
Teksa u pyet për mundësinë që të kontribuojë me një këngë në sezonin e dytë, ajo zbuloi edhe emrin e djalit.
Ilya është emri i djalit tim. Ndoshta, ndoshta për shkak të atij seriali
-tha ajo, duke lënë të hapur në mënyrë lozonjare nëse seriali ishte vërtet frymëzimi për zgjedhjen e emrit.
Ilya Rozanov është personazhi i interpretuar nga aktori Connor Storrie në serialin kanadez, i cili ndjek historinë romantike të dy lojtarëve profesionistë të hokejit.
Lidhja e Jepsen me “Heated Rivalry” nuk kufizohet vetëm te emri i djalit.
Krijuesi i serialit, Jacob Tierney, kishte shprehur më herët dëshirën që këngëtarja të shkruante një këngë origjinale për sezonin e parë, por bashkëpunimi nuk u realizua për shkak të kufizimeve buxhetore.
Tani që seriali po rikthehet me sezonin e dytë, Jepsen ka thënë se do të ishte një “ëndërr” për të kontribuar në kolonën zanore.
Lajmi për emrin e djalit vjen në një periudhë të rëndësishme personale dhe profesionale për Jepsen. Ilya është fëmija i saj i parë me Cole M.G.N., me të cilin u martua në vitin 2025.
Ndërkohë, këngëtarja po përgatitet edhe për publikimin e albumit të saj të ri, “Day and Night”, i cili pritet të publikohet më 18 shtator.


