Kelly Osbourne ka folur hapur për periudhën e vështirë që përjetoi pas vdekjes së babait të saj, Ozzy Osbourne, duke treguar se pikëllimi ndikoi ndjeshëm në shëndetin dhe peshën e saj.
Në një intervistë për “The Mail on Sunday”, 41-vjeçarja tha se nuk e kishte kuptuar se sa shumë kishte humbur peshë derisa pa një fotografi të saj gjatë një prove veshjeje për ceremoninë e Grammy Awards të këtij viti.
Kelly tregoi se fotografia e tronditi, pasi vetëm atëherë kuptoi përmasat e ndryshimit fizik.
Ajo e përshkroi pamjen e saj në atë periudhë në mënyrë shumë të ashpër, duke thënë se i dukej sikur i dukej çdo kockë e trupit. Megjithatë, sipas saj, gjatë asaj kohe ishte aq e zhytur në dhimbjen e humbjes sa nuk ishte në gjendje ta shihte veten ashtu siç e shihnin të tjerët.
Nuk pashë atë që panë të tjerët, sepse po kaloja shumë dhimbje. Pashë vetëm një person të thyer
-tha ajo.
Kelly mori pjesë në ceremoninë Grammy së bashku me nënën e saj, Sharon, dhe vëllain Jack, ku familja nderoi trashëgiminë e Ozzy Osbourne.
Megjithatë, ajo kishte frikë se ndryshimi i dukshëm në pamjen e saj do të tërhiqte vëmendjen nga homazhi për të atin. Për këtë arsye, vendosi të mbante një paruke që i mbulonte pjesërisht fytyrën.
Vishja një paruke për të mbuluar fytyrën, në mënyrë që të mos tregonte sa të fundosura ishin në të vërtetë mollëzat e mia
-shpjegoi ajo. Edhe stilistët e saj zgjodhën veshje që nuk e theksonin më tej humbjen e peshës.
Kelly pranoi se, duke e parë situatën në retrospektivë, nuk mendon se ishte në gjendjen e duhur për të marrë pjesë në një event kaq të madh, edhe pse dëshironte të ishte pranë nënës së saj dhe të nderonte babanë.
Sipas Kelly-t, dhimbja e humbjes ndikoi edhe në mënyrën se si ushqehej. Ajo tha se ishte aq e përfshirë emocionalisht sa nuk e ndiente më urinë si më parë.
Je aq e mbushur me dhimbje saqë ndjenja e urisë as nuk mund të lindë
-tha ajo.
Ozzy Osbourne ndërroi jetë më 22 korrik 2025, në moshën 76-vjeçare. Pas humbjes së tij, Kelly ka folur në disa raste për ndikimin e thellë emocional që pati kjo ngjarje në jetën e saj. Ajo ka thënë së fundmi se po përmirësohet gradualisht dhe se po merr mbështetjen që i nevojitet.
Kelly ka bërë gjithashtu të ditur se po planifikon një dokumentar në tri pjesë për pikëllimin dhe shëndetin mendor, përmes të cilit dëshiron të ndajë më gjerësisht përvojën e saj dhe atë që ka mësuar gjatë kësaj periudhe.


