Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, lidhur me gjykimin në mungesë për krimet e luftës dhe gjetjen e trupave të personave të zhdukur në veri të vendit.
Behrami e ka falënderuar fillimisht Rrustemin për korrigjimin e koleges së tij partiake, Arbëresha Kryeziu Hyseni, e cila kishte deklaruar se gjykimi në mungesë për krimet e luftës ishte mundësuar nga Vetëvendosje në vitin 2021.
“Ajo tha se gjykimi në mungesë për krimet e luftës u mundësua nga Vetëvendosje në vitin 2021. Ti vetë pranove se bazat ishin vendosur në vitin 2018. Pra, një gënjeshtër më pak!”, ka shkruar Behrami.
Megjithatë, ai e ka akuzuar Rrustemin se më pas ka bërë, sipas tij, një tjetër deklaratë të pavërtetë, duke pretenduar se Vetëvendosje kishte mundësuar gjetjen e trupave në veri.
“Jo, Adnan. Trupat i gjetën policët e Kosovës”, ka deklaruar Behrami, duke përmendur edhe agjentët e AKI-së, prokurorët dhe institucionet e drejtësisë si aktorë të punës për gjetjen dhe identifikimin e trupave.
Behrami e ka kritikuar Vetëvendosjen për, siç thotë ai, përvetësimin politik të rezultateve të institucioneve që ekzistonin edhe para ardhjes së saj në pushtet.
“Ju nuk i keni krijuar këto kuadro. Ju i keni trashëguar institucionet që dikur i shanit dhe i sulmonit. Dhe tani, pasi rezultatet po vijnë, po përpiqeni t’ia vendosni flamurin e Vetëvendosjes mbi punën e tyre”, ka shkruar ai.
Behrami e ka ironizuar Rrustemin me një koment për kuadrot e PDK-së që, sipas tij, po marrin rol gjithnjë e më të rëndësishëm brenda Vetëvendosjes.
“Por një gjë më gëzon. Kur shoh gjithnjë e më shumë kuadro të PDK-së që po faktorizohen brenda Vetëvendosjes 🙂”, ka shtuar Behrami.


