Për opozitën situata e krijuar në bashkinë e Tiranës dhe drejtimi I saj nga një kryetar që ndodhet në burg, dëmton interesin e qytetarëve. Ilir Alimehmeti i cili drejton grupin e demokratëve në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit në një intervistë për “Vizion Plus” thekson se qytetarët duhet të dinë sot kush i merr vendimet për qytetin ku ata jetojnë, kush i jep zgjidhje problemeve të tyre.
“Kush ka sot të drejtën për të ekzekutuar cdo lloj vendimi dhe për të ekzekutuar cdo lloj parashikimi që është bërë për Tiranën. Pse? Sepse jemi në një moment specifik të vitit, pra mbarojnë pushimet, fillon jeta shkollore e kështu me radhë. Dhe ne sot kemi një bashki-jo bashki! Kemi një bashki pa kryetar bashkie. Kemi një bashki pa Sekretar të Përgjithshëm, kemi një bashki pa nënkryetar. Dhe cdo vonesë, cdo minutë, cdo orë që kalon është e gjitha në kurrizin tonë. Dhe është e gjitha në kurriz të mungesës së shërbimeve që ne kemi”, tha Alimehmeti.
Grupi i këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës ka dërguar edhe një letër duke kërkuar zyrtarisht sqarime për drejtimin e kësaj bashkie. Por vetë Ilir Alimehmeti është i bindur se zgjidhja për një situatë të tillë duhet të ishte që në fillim politike.
“Ne nuk mund të krijojmë këtë precedent kaq të rëndë që bashkia drejtohet nga burgu apo që Kryeministri do që të marrë kompetencat e bashkisë sic e ka bërë. Pra të duja këto janë të patolerueshme dhe ne thjesht kërkojmë kthim në normalitet.
Normaliteti kërkon që në momentin kur je nën 10 akuza të rënda për korrupsion, për shpërdorim të parave publike dorëheqja do të kishte qenë rruga normale”, shtoi ai.
E ndërsa tashmë është e qartë së zgjedhjet për Tiranën do të jenë në pranverën e vitit të ardhshëm; Ilir Alimehmeti konfirmon se ai do të jetë pjesë e procesit që do të zhvillohet në PD për të zgjedhur kandidatin për bashkinë e Tiranës
“Në momentin që do të qartësohen gjërat, do të ketë një proces; do të jenë primaret apo një metodë tjetër për tu zgjedhur, unë do të jem pjesë e atij procesi”, tha ai.
Edhe pse vetë Alimehmeti tregohet i rezervuar për garën për Tiranën, burime pranë PD bëjnë me dije ai ështe figura favorite me të cilën opozita do të kërkojë fitoren për bashkinë e kryeqytetit.


