Pas publikimit të lajmit në TV21 se uji nuk është i pijshëm në katër fshatra të Komunës së Tetovës — përkatësisht në Xhepçisht, Poroj, Reçicë të Madhe dhe Reçicë të Vogël — i kërkuam Qendrës për Shëndet Publik analizat e bëra gjatë vitit 2026 për këto vendbanime.
Gjatë ditës së djeshme, nga Qendra për Shëndet Publik na informuan për rezultatet e mostrave të marra në terren.
Në fshatin Poroj, nga tre analizat e bëra gjatë këtij viti, dy të parat kanë pasur rezultat të rregullt, ndërsa mostra e fundit, e marrë në gusht, ka treguar se uji nuk i plotëson standardet për pije.
Ndërkaq, situata në Xhepçisht është edhe më shqetësuese.
Nga tre analizat e kryera gjatë këtij viti, uji në asnjërën prej tyre nuk ka rezultuar i pijshëm.
Në fshatin Reçicë e Vogël, ku me ujësjellësin menaxhon bashkësia lokale, nga dy mostrat e marra gjatë vitit uji ka rezultuar i papijshëm.
Aktualisht në procedurë janë edhe analizat e treta, rezultatet e të cilave pritet të dalin brenda kësaj jave.
E njëjta gjendje është regjistruar edhe në Reçicë të Madhe.
Nga dy kontrollet e kryera gjatë vitit 2026, uji ka rezultuar i papijshëm, ndërsa po priten rezultatet e mostrave të reja, të cilat do të publikohen gjatë ditëve në vijim.
Nga Qendra për Shëndet Publik konfirmojnë se për të gjitha rezultatet e deritanishme janë njoftuar zyrtarisht institucionet kompetente dhe bashkësitë lokale./TV21


