Uashington – Kongresisti republikan Chip Roy nga Teksasi ka paraqitur projektligjin e quajtur “MAMDANI Act”, kështu të paktën thotë sot shtypi amerikan.
Qëllimi i tij është të forcojë mundësitë e qeverisë amerikane për të dëbuar të huajt dhe, kur lejohet ligjërisht, për të hequr shtetësinë personave që akuzohen se përkrahin ose kanë lidhje me ideologji islamiste, socialiste, komuniste ose me Partinë Komuniste Kineze.
Projektligji ndryshon Ligjin e Imigracionit dhe Shtetësisë.
Ai do t’u ndalonte hyrjen, dhe do t’i dëbonte ose do t’ua hiqte shtetësinë atyre që janë anëtarë të partive socialiste, komuniste, të PKK-së ose grupeve të etiketuar si islamiste fundamentaliste.
E njëjta masë thuhet në këtë ligj vlen edhe për ata që “përkrahin” këto ideologji, duke përfshirë shkrimin, shpërndarjen ose zotërimin e materialeve mbështetëse të komunistve dhe ideologjisë komuniste.
Emri i nismës i referohet kryebashkiakut të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili është socialist demokrat i natyralizuar, i lindur në Uganda. Në listë përmenden Demokratët Socialistë të Amerikës, ku Mamdani është anëtar, si dhe organizata si Hamas, Hezbollah dhe Vëllazëria Myslimane. Kongresisti Roy e mbron projektligjin me argumentin e sigurisë kombëtare.
Sipas tij, Amerika nuk duhet të pranojë njerëz që promovojnë ideologji që bien ndesh me rendin kushtetues. Ai flet për “aleancën e kuqe-jeshile” midis marksistëve dhe islamistëve dhe e krahason rrezikun me atë që ka prekur Evropën.
Nisma heq shumë përjashtime të vjetra dhe e bën vendimin e administratës të vështirë për t’u kundërshtuar në gjykatë. Pikërisht kjo pjesë ka ngjallur shqetësimin më të madh, sepse heqja e shtetësisë amerikane është masë e rrallë dhe e rëndë.
Kritikët thonë se termat janë tepër të gjerë dhe se ligji rrezikon lirinë e fjalës. Ata vërejnë se mund të prekë qytetarë të natyralizuar dhe kundërshtarë politikë.
Mbështetësit e shohin si mjet të nevojshëm për të mbrojtur vendin.
Debati pritet i ashpër.
Ngase pretendohet nga kritikët se ky ligj prek kufirin mes sigurisë kombëtare, ligjit të imigracionit dhe të drejtave themelore. Për momentin projektligji mbetet në Kongres, por emri dhe qëllimi i tij e kanë kthyer tashmë në një nga nismat më të diskutueshme të këtij viti.


