Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video të historianit Yuval Noah Harari, i cili flet për mënyrën se si funksionojnë algoritmet e platformave sociale.
Sipas Hararit, algoritmet e Facebook, X dhe TikTok nuk janë ndërtuar për të nxjerrë në pah të vërtetën, por për të rritur angazhimin e përdoruesve dhe kohën që ata kalojnë në platforma.
“Algoritmit te rrjeteve sociale iu dha si objektiv jo krijimi i besimit apo krijimi i së vërtetës, por krijimi i angazhimit. Objektivi që iu dha algoritmit të Facebook-ut, algoritmit të X-it, Tik-tokut është të rritet ndërveprimi i përdoruesve. Dhe kjo tingëllon bukur. ‘Angazhim’ duket si diçka e mirë, por ajo që do të thotë në të vërtetë është se algoritmet eksperimentuan mbi miliona e miliarda njerëz si mbi kavie njerëzore për të parë si t’i bëjmë njerëzit më të angazhuar, si t’i bëjmë njerëzit të kalojnë më shumë kohë në platformë dhe të reagojnë më shumë ndaj saj”, u shpreh ai.
Harari thotë se algoritmet kanë zbuluar se përmbajtjet që gjenerojnë më shumë reagime janë ato që nxisin frikë, urrejtje, zemërim dhe lakmi.
“Algoritmet zbuluan se mënyra më e lehtë për t’i bërë njerëzit të angazhohen është të shtypësh butonin e urrejtjes ose butonin e lakmisë ose butonin e frikës në mendjen e tyre ,në mendjen njerëzore, sepse urrejtja është jashtëzakonisht angazhuese, frika është jashtëzakonisht angazhuese. Nëse diçka kërcënon jetën tënde, menjëherë je i angazhuar, dhe kështu ata e kanë përmbytur botën. Me urrejtje, frikë, zemërim dhe lakmi. Sot jetojmë në një botë hiper të angazhuar”, tha ai.
Sipas tij, ky mekanizëm ka ndikuar edhe në mënyrën se si zhvillohet debati publik dhe politik, duke e mbajtur shoqërinë në një gjendje të vazhdueshme “eksitimi” emocional.
“Angazhimi është kushëri i afërt me një fjalë tjetër që sot është bërë shumë dominuese që është ‘eksitimi’ që në thelb do të thotë që sistemi yt nervor është vazhdimisht në një nivel shumë të lartë aktivizimi. Natyrisht eksitimi është i mirë në situata të caktuara deri në një farë mase, ashtu si edhe angazhimi është i mirë në situata të caktuara por biologjikisht një organizëm që qëndron i eksituar gjatë gjithë kohës në fund organizmi shembet dhe vdes. Nuk jemi ndërtuar për të qenë gjatë gjithë kohës të eksituar. Unë do të doja të takoja njerëz që më bëjnë të ndihem i qetë, jo domosdoshmërisht të eksituar. Pastaj shikon politikën amerikane, atë izraelite apo thjesht gjithë botën. E gjithë bota është tepër e eksituar” , u shpreh ai.
Rama, i cili e cilëson Hararin si “një nga mendjet më largpamëse të botës së sotme”, ka zgjedhur këtë pjesë të fjalës së tij në rrjetet sociale, duke ndarë të njëjtin shqetësim për ndikimin e algoritmeve në mënyrën se si njerëzit informohen dhe reagojnë.


