Projekti për lidhjen elektrike nënujore mes Greqisë dhe Qipros ka hyrë në një fazë të re, pas nënshkrimit të marrëveshjes që parashikon hyrjen e fondit francez Meridiam si aksioner shumice me rreth 66% të shoqërisë së posaçme që është krijuar për zhvillimin e projektit, ndërsa operatori grek i transmetimit të energjisë, ADMIE, do të ruajë pjesën tjetër dhe rolin teknik në zbatimin dhe funksionimin e ardhshëm të interkoneksionit.
Marrëveshja konsiderohet e rëndësishme, para së gjithash, për financimin dhe rifillimin praktik të punimeve. Projekti, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 1,9 miliardë eurosh, ishte ngadalësuar për shkak të mosmarrëveshjeve rregullatore, kostove të larta dhe tensioneve gjeopolitike në Mesdheun Lindor.
Interkoneksioni Great Sea parashikon vendosjen e një kablloje nënujore me gjatësi rreth 900 kilometra dhe kapacitet fillestar 1.000 megavat, me mundësi zgjerimi deri në 2.000 megavat. Qëllimi kryesor është lidhja e Qipros me sistemin elektrik evropian përmes Greqisë, duke i dhënë fund izolimit energjetik të ishullit.
Për Qipron, projekti krijon mundësinë e importit dhe eksportit të energjisë elektrike, ul varësinë nga prodhimi vendas me kosto të lartë dhe përmirëson sigurinë e furnizimit. Për Greqinë, interkoneksioni forcon rolin e saj si nyje energjetike mes Evropës dhe Mesdheut Lindor.
Hyrja e Meridiam i jep projektit një dimension të fortë francez. Sipas informacioneve të publikuara në mediat greke, rreth 60% e kërkimeve detare janë përfunduar, ndërsa pjesa e mbetur ndodhet kryesisht në zonën mes Karpadhos dhe Qipros, ku më herët janë shfaqur tensione me Turqinë.
Fondi francez pritet të financojë përfundimin e kësaj faze, ndërsa po shqyrtohet paralelisht edhe financimi i projektit nga Banka Evropiane e Investimeve.
Përfshirja e një investitori të madh francez e zgjeron projektin përtej marrëdhënieve dypalëshe Greqi–Qipro. Interkoneksioni fiton një profil më të qartë evropian dhe përfshin drejtpërdrejt interesa ekonomike dhe strategjike franceze.
Ky zhvillim ka rëndësi në një zonë ku kufijtë detarë, të drejtat për kërkime dhe projektet energjetike janë prej vitesh objekt mosmarrëveshjesh mes Greqisë dhe Turqisë.
Në vitin 2024, kërkimet detare për gjurmimin e rrugës së kabllos u ndërprenë pas kundërshtimeve të Ankarasë, e cila pretendonte se një pjesë e punimeve zhvillohej në zona ku kërkohej miratimi i saj. Athina dhe Bashkimi Evropian i kanë kundërshtuar këto pretendime.
Vetë Brukseli e mbështet interkoneksionin si pjesë të politikës për integrimin e tregjeve energjetike, diversifikimin e furnizimit dhe forcimin e sigurisë energjetike.
Projekti synon të lidhë Qipron, vendin e fundit anëtar të BE-së që mbetet i izoluar nga rrjeti elektrik kontinental, me tregun evropian të energjisë.
Në një fazë të mëvonshme, interkoneksioni synohet të zgjerohet nga Qiproja drejt Izraelit. Nëse realizohet e gjithë linja, projekti do të krijojë një korridor të ri energjetik mes Izraelit, Qipros, Greqisë dhe tregut evropian.


