Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.
Në fjalën e tij, Kurti falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takimet e zhvilluara, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e gatshme të zhvillojë bisedime edhe me PDK-në dhe Aleancën, pavarësisht refuzimit të deritanishëm të këtyre partive.
“Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot”, deklaroi Kurti në Kuvend.
Ai shtoi se konstituimi i institucioneve nuk duhet të përfundojë me shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti.
Pas kësaj, Dehari e ndërpreu senacën.


