Jennifer Aniston ka rrëmbyer vëmendjen gjatë pushimeve të saj verore në ishullin Mallorca të Spanjës, ku është fotografuar duke kaluar momente relaksi në një jaht luksoz në shoqërinë e partnerit të saj, Jim Curtis.

Aktorja e famshme e serialit “Friends” u shfaq në formë të shkëlqyer fizike, teksa kishte zgjedhur një kostum banje me pjesën e sipërme të zezë dhe fundin rozë, të kombinuar me syze dielli dhe një kapelë të zezë, duke vënë në pah barkun e tonifikuar.

Gjatë ditës në det, 56-vjeçarja u pa duke shijuar rrezet e diellit, duke biseduar me partnerin e saj dhe madje duke bërë edhe disa ushtrime fizike në jaht.
Pushimeve iu bashkuan edhe disa emra të njohur të Hollivudit, mes tyre ish-kolegja e Aniston nga “Friends”, Courteney Cox, aktori Pedro Pascal dhe producenti Judd Apatow. Grupi kaloi kohën me aktivitete të ndryshme, duke përfshirë notin, kajakun dhe zhytjen.

Romanca mes Jennifer Aniston dhe Jim Curtis u bë publike në vitin 2025, pasi dyshja u fotografua së bashku gjatë pushimeve në të njëjtin destinacion.
Aktorja ka folur më herët me fjalë të ngrohta për partnerin e saj, duke e cilësuar atë si një njeri “shumë të veçantë”, “normal” dhe “të mirë”.

Nga ana tjetër, Curtis, i cili punon si hipnoterapist, ka treguar se njohja e tyre erdhi përmes miqve të përbashkët dhe se lidhja u ndërtua gradualisht, pas shumë bisedash dhe kohës së kaluar së bashku.









