Jared Leto është sërish në qendër të vëmendjes pas publikimit të dokumentarit të BBC-së, “Jared Leto: Hollywood’s Dark Secret”, ku disa gra kanë ngritur pretendime për sjellje të papërshtatshme nga ana e aktorit dhe këngëtarit.
Në dokumentar përfshihet edhe dëshmia e një ish-bashkëpunëtori, i cili ka punuar me Leton gjatë turneve muzikore. Ai e përshkruan artistin si një person të vështirë për t’u menaxhuar në prapaskenë, duke pretenduar se komunikimi me stafin ishte shpesh problematik dhe se atmosfera e krijuar prej tij nuk ishte komode.
Sipas të njëjtit burim, Leto kishte edhe kërkesa të pazakonta ndaj anëtarëve të ekipit, duke u kërkuar herë pas here asistentëve t’i hapnin dyert ose t’i mbanin pelerinën, edhe në situata kur mund t’i kryente vetë këto veprime.
Dokumentari përfshin dëshmitë e 10 grave, të cilat pretendojnë se ngjarjet kanë ndodhur në periudhën 2002–2016. Katër prej tyre, që kanë zgjedhur të ruajnë anonimitetin duke përdorur pseudonime, kanë ngritur akuza të ndryshme, përfshirë pretendime për abuzim seksual, kërcënime dhe sjellje manipuluese.
Njëra prej grave, e identifikuar si “Isabel”, pretendon se një incident ka ndodhur në vitin 2002, kur ajo ishte 17 vjeçe. Një tjetër, me pseudonimin “Clara”, deklaron se kishte pasur marrëdhënie seksuale me Leton në moshën 17-vjeçare.
Ndërsa “Alex” pretendon se ishte kërcënuar me sulm seksual në një hotel në vitin 2013, dhe “Etta” ka deklaruar se ishte manipuluar nga aktori kur ishte 16 vjeçe.
Jared Leto i ka hedhur poshtë të gjitha këto pretendime. Përmes përfaqësuesve të tij, ai ka mohuar çdo akuzë, duke i cilësuar ato si “absolutisht dhe kategorikisht të pavërteta”.









