SHBA-ja godet Iranin pas sulmit në bazën ushtarake në Jordani

featured

Ushtria amerikane ka kryer përsëri sulme në Iran të enjten në mëngjes herët, duke thënë se ato erdhën si pasojë e sulmeve iraniane kundër forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) njoftoi të enjten se forcat e saj e përfunduan “një valë të fuqishme” sulmesh ndaj Iranit që zgjati më shumë se dy orë.

“Kapacitetet e CENTCOM-it goditën dhjetëra shënjestra të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Iran, përfshirë qendra të komandës ushtarake, objekte për raketa dhe dronë, pika të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes bregdetare, si dhe kapacitete detare”, tha ushtria amerikane në një postim në X.

Sulmet e reja ndodhën disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua se do ta godiste Iranin “shumë ashpër”, pasi Teherani kishte shënjestruar një bazë në Jordani ku janë të vendosur trupa amerikane.

Një zyrtar i lartë amerikan kishte konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se ushtria amerikane po kryente sulme brenda territorit të Iranit.

Mediat shtetërore iraniane raportuan për sulme në disa qytete të provincës jugperëndimore Khuzestan, si dhe në ishullin Qeshm në Gjirin Persik.

Sipas CENTCOM-it, forcat e IRGC-së lëshuan të mërkurën disa raketa balistike nga Irani në një përpjekje për një sulm të befasishëm ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme, duke shtuar se të gjitha raketat iraniane u shkatërruan.

Sipas zyrtarëve amerikanë, ky veprim pason një sulm të së martës, kur Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike i Iranit lëshoi pesë raketa drejt një baze ushtarake amerikane në Jordani. Disa orë më vonë, Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite goditën milicitë e mbështetura nga Irani në Irak, duke përshkallëzuar tensionet në mbarë rajonin.

Trump kishte sinjalizuar më herët të mërkurën se një veprim ushtarak ishte i pashmangshëm. Në një intervistë për Fox News, ai tha se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjeshin me forcë sulmit të pretenduar iranian.

Më vonë të enjten, duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump u tha gazetarëve se tani ishte “radha” e ushtrisë amerikane për të goditur Iranin. “Ata e dinë se po ndodh. Po na kërkojnë të mos e bëjmë, por ata u përpoqën të na qëllonin mbrëmë”, tha Trump.

Sulmet e fundit vijnë pas një pauze të shkurtër në operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit, pasi Trump i pezulloi veprimet e mëtejshme ushtarake gjatë fundjavës për t’i lënë hapësirë bisedimeve të mundshëm diplomatike me Teheranin.

Rifillimi i veprimeve ushtarake ka rritur frikën për një konflikt më të gjerë rajonal, ndërsa tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë të përshkallëzohen.

Lufta me Iranin nisi më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan Iranin, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.