Tirana do të mirëpresë të hënën një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë kushtuar manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion (Foreign Information Manipulation and Interference – FIMI).
Këtë fenomen, Bashkimi Evropian e konsideron ndër kërcënimet më serioze për demokracinë, besimin publik dhe sigurinë evropiane.
Konferenca organizohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Sipas programit të konferencës, aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë po përdorin gjithnjë e më shumë platformat digjitale, inteligjencën artificiale dhe fushatat e koordinuara online për të manipuluar debatin publik, për të minuar besimin te institucionet demokratike dhe për të ndikuar në proceset politike pa përdorur mjete tradicionale ushtarake.
Konferenca do të vendosë Shqipërinë në qendër të diskutimeve si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke analizuar sfidat me të cilat përballet mjedisi informativ shqiptar dhe masat që duhen ndërmarrë për të rritur rezistencën institucionale ndaj manipulimit të huaj të informacionit.
Organizatorët theksojnë se vendet e zgjerimit nuk duhet të jenë vetëm përfituese të iniciativave të BE-së, por edhe kontribuuese aktive në përballimin e kërcënimeve hibride që prekin kontinentin.
Në fokus të diskutimeve do të jenë përvoja evropiane në luftën kundër dezinformimit, zhvillimi i European Democracy Shield dhe instrumentet e Bashkimit Evropian për identifikimin dhe kundërshtimin e manipulimit të huaj të informacionit.
Një tjetër objektiv është identifikimi i rekomandimeve konkrete për institucionet publike, mediat, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur integritetin e proceseve demokratike dhe për të mbështetur procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Programi parashikon dy panele diskutimi. I pari do t’i kushtohet manipulimit të huaj të informacionit si një kërcënim i ri për sigurinë evropiane, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga NATO Strategic Communications Centre of Excellence, Sciences Po Paris, Free Russia Foundation dhe specialistëve të njohur të sigurisë dhe medias.
Paneli i dytë do të fokusohet te Shqipëria dhe vendet e zgjerimit, duke analizuar dobësitë e mjedisit informativ shqiptar, ndikimin e dezinformimit në debatin publik dhe masat praktike për forcimin e rezistencës së institucioneve demokratike.
Në diskutim do të marrin pjesë përfaqësues të Institutit Shqiptar të Medias, Faktoje.al, WatchDog.MD, Kyiv Post, Institutit për Dialog Strategjik (ISD Germany), si edhe përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë.
Konferenca do të hapet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndërsa fjalën kryesore do ta mbajë Kryeministri Edi Rama.
Në përfundim, organizatorët synojnë të dalin me rekomandime praktike për forcimin e përgatitjes institucionale, rritjen e edukimit mediatik, mbrojtjen e integritetit zgjedhor dhe zhvillimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e demokracisë nga manipulimi i huaj i informacionit.



