Avokati Numan Limani, në një intervistë dhënë gazetës “Flaka e Vëllazërimit”, thekson se pas bastisjes së qindra shtëpive shqiptare nga policia maqedonase “nuk është gjetur asnjë armë”. Përkundrazi, janë gjetur vetëm kapsolla automatësh në tri ndërtesa të kësaj lagjeje, ku kryesisht banojnë ish-policë dhe eprorë të ish-APJ-së, të cilët kanë qëlluar në masë..”.. Për këtë tha se posedohet dëshmi të pakontestueshme, duke shtuar se këtë në mënyrë të tërthortë “e ka pranuar edhe ministri Fërçkovski në konferencën për shtyp”

Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Mirëpo, për fat të keq, pavarësisht insistimit të Vllado Popovskit që Ministria e Punëve të Brendshme t’i kushtonte rëndësi të veçantë kësaj çështjeje, nuk u ndërmor asnjë hap konkret drejt zbardhjes së plotë të ngjarjeve. Në lidhje me këtë, avokati Numan Limani, në një intervistë dhënë gazetës “Flaka e Vëllazërimit”, thekson se pas bastisjes së qindra shtëpive shqiptare nga policia maqedonase “nuk është gjetur asnjë armë”. Përkundrazi, janë gjetur vetëm kapsolla automatësh në tri ndërtesa të kësaj lagjeje, ku kryesisht banojnë ish-policë dhe eprorë të ish-APJ-së, të cilët kanë qëlluar në masë..”.. Për këtë tha se posedohet dëshmi të pakontestueshme, duke shtuar se këtë në mënyrë të tërthortë “e ka pranuar edhe ministri Fërçkovski në konferencën për shtyp”, prandaj ai shprehi habinë e tij se “përse për hir të së vërtetës, MPB-ja nuk ndërmori as një hap për zbulimin e personave që shtënë nga ato ndërtesa”. Edhe deputeti Xhelil Tahiri, duke u mbështetur nga biseda e zhvilluar me disa banorë, konstatonte se “nga shumëkatëshet është gjuajtur me armë zjarri pikërisht nga banorët të cilët kanë qenë nën shërbim të ish-APJ-së, si dhe nga persona nga përbërja rezervë..”..

Si rrjedhojë e gjuajtjeve të pandërprera nga ana e policisë, rreth orës 19,30 u vra Safet Sejfullai, ndërsa u plagosën pesë të tjerë: Raif Dardhishta, Imer Dardhishta, Rufadie Bytyqi, Zekirija Vishi dhe Ibraim Ibraimi.

Kjo ngjarje tragjike ndodhi në rrugën “Sevastopollska”, në afërsi të shtëpisë së Adem Hysenit. Sipas Besnik Ismailit, policia maqedonase e ka qëlluar Safetin me katër plumba në kokë dhe në pjesë të trupit, afër qoshkut të atëhershëm “Rilindja”. Nga rrëfimi i Muhijedin Sejfullait (vëllai i Safetit), merret vesh se Safeti para se të dilte e kishte porositur bashkëshorten e tij, Hamiden, që mos të dilnin nga shtëpia, sepse situata nuk ishte e mirë. Ai, gjithashtu u ka thënë se “nuk do të vonohej”, vetëm se do të sheh se ç’po ndodhte jashtë dhe sa më shpejtë do të kthej. Në vazhdim të rrëfimit, Muhijedini e përshkruan lajmin e dhimbshëm për vrasjen e Safetit, një lajm që e morën nga babai i tij, Nurimani, i cili atë mbrëmje ishte mysafir te një mik në lagjen “Gazi Babë”: “…Rreth orës një pas mesnate, dikush troket në derë. Babai më thërret me emër dhe kërkon që t’i hap. E hapa dhe ai hyri brenda. Vërejta menjëherë se ishte shumë i shqetësuar. Si ka ardhur vetëm nga Gazi Baba deri në shtëpi në atë gjendje, vetëm Zoti e di! Sa hyri në dhomë, më pyeti se ku është Safeti. I tregova se që nga momenti kur kishte dalë nuk ishte kthyer në shtëpi dhe se ndoshta nga situata e krijuar nuk kishte mundur të vinte, apo kishte shkuar te ndonjë shok i lagjes sonë. Pas pak, me një ton që më dridhte shpirtin, më tha: ‘Jo, askund nuk ka shkuar, Safetin e ka vrarë policia maqedonase!’ Në fillim nuk i besuam fjalëve të tij, por më pas vazhdoi të na tregojë se atje ku ishte mysafir, në lajmet e TVM-së në orën 24:00, kishin raportuar për trazirat në Bit Pazar dhe për vrasjen e tre qytetarëve me emër e mbiemër, përfshirë edhe Safet Sejfullain… Nga ato fjalë që na tha babai, u tronditëm thellë, na mbërtheu dhimbja e madhe. Një jetë u shua në familjen tonë. Lot dhe heshtje!..”..

Ndërkohë, Raif Dardhishta pohon se vrasja e Safet Sejfullait ndodhi në momentin kur në rrugën “Sevastopollska”, pranë shtëpisë së Adem Hysenit, ishte mbledhur një numër i madh qytetarësh shqiptarë, që shpreheshin me revoltë kundër forcave policore të pozicionuara te ura e Bit Pazarit, pranë xhamisë “Hallaxha” dhe stacionit policor të Bit Pazarit. “Për një kohë të shkurtër,” shprehet Dardhishta, “rruga u mbush me njerëz deri te Muzeu i Lirisë. Safeti ishte një metër larg meje… Nuk vonoi shumë dhe policia filloi të gjuajë me armë zjarri. Plumbat vinin prej hyrjes së xhamisë së ‘Hallaxhes’ dhe prej stacionit policor të Bit Pazarit. Unë u plagosa në kukin e djathtë dhe të majtë. Edhe Imer Dardhishta u plagos në njërën këmbë. Safeti ishte gjysmë metra para turmës, kur e pashë se kishte rënë. I pari që u përpoq ta ndihmojë ishte Ali Haruni, e pas tij Rufadije Bytyçi, por nuk patën mundësi ta ngrinin, sepse në atë çast Rufadia u plagos në shpatullën e djathtë dhe ra mbi kufomën e Safetit..”..

Pak çaste pasi u vra Safet Sejfullai u plagos rëndë edhe aktivistja shqiptare, Rufadie Bytyçi. Gjatë takimeve që unë së bashku me Muhijedin Sejfullain i zhvillonim me dëshmitarët okularë të ngjarjeve të Bit Pazarit, përkatësisht me të plagosurit, të rrahurit dhe të arrestuarit, emri i Rufadies përmendej vazhdimisht si një shembull i devotshmërisë dhe heroizmit të saj në momentin tragjik të vrasjes së Safetit. Pas disa përpjekjeve, Muhijedini, me ndihmën e disa miqve, arriti të kontaktojë me të vëllanë e saj, i cili na përcolli rrëfimin e shkruar të vetë Rufadies. Në këtë rrëfim, ajo i përshkruan në hollësi momentet e vrasjes së Safetit dhe plagosjes së saj, të cilin po e sjellim të plotë: “Ditën kur shpërthyen ngjarjet në Bit Pazar, unë isha me babanë tim, tashmë të ndjerë, Xhevatin, në Poliklinikën e Bit Pazarit për disa analiza. Në atë moment sollën një djalë të ri, i rrahur rëndë nga policia, aq sa nuk mundej të ecte. Pasi mbaruam me mjekun, dolëm jashtë dhe pamë se ishin grumbulluar shumë njerëz. Me vështirësi arritëm të kalonim dhe shkuam në shtëpi.

Unë nuk mund të qëndroja e qetë, ndaj së bashku me motrën time të vogël, Rukijen, dhe dy shoqet, Havushen dhe Mihanen, dolëm dhe iu bashkuam demonstratës. Policia filloi të gjuante me gaz lotsjellës dhe ne u larguam. Kur situata u qetësua pak, u kthyem te demonstrata, por policia sërish nisi të qëllonte me armë zjarri. Në fillim mendoja se ishte gaz lotsjellës, por papritmas pashë një njeri të shtrirë për tokë. Ishte Safet Sejfullai. Mendova se ishte shtrirë nga gazi lotsjellës dhe iu afrova për ta ndihmuar. Një person që ishte afër më tha se ishte i plagosur, dhe së bashku e mbajtëm për të ndihmuar. Nuk kaluam as pesë apo gjashtë hapa, kur unë u qëllova me plumb. U plagosa rëndë dhe vetëm i thashë djalit që nuk e njihja dhe Safetit, që nuk mundja më. E lëshuam Safetin në tokë, sepse nuk kisha më fuqi..”..

Ashtu e plagosur, ajo ka hyrë në shtëpinë e Adem Hysenit, ku menjëherë i është ofruar ndihma e parë nga bashkëshortja e Ademit, profesoresha Shefkie Hyseni, e cila si biologe ka vërejtur se për fat të mirë plumbi e kishte rrokur në shpatull dhe kishte dalë nga pjesa e fytit. Ndryshe nga rrëfimet e më sipërme që dëshmojnë bindshëm se Safet Sejfullai është vrarë nga policia maqedonase, Ministria e Punëve të Brendshme, në Informatën e saj të 20 nëntorit 1992, pretendon se ai “është plagosur” gjatë shkëmbimit të zjarrit midis demonstruesve dhe policisë, pa saktësuar se nga kush, edhe pse është e qartë se zjarri vinte vetëm nga ana e policisë.

“…Për Safet Sejfullain (32 vjeç), theksohet në informatë, është vërtetuar se është plagosur atë natë rreth orës 19:30, gjatë shkëmbimit të zjarrit në rrugën ‘Sevastopollska’, dhjetë metra larg shtëpisë nr. 10. Gjatë inspektimit është gjetur një gëzhojë kalibri 7.65 mm. Ai ndërroi jetë në rrugë gjatë transportit për në Spitalin e Qytetit. Autopsia e kryer pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore konfirmoi se vdekja ka ardhur si pasojë e një gjendjeje të rëndë shokuese, shkaktuar nga një plumb në pjesën e qafës..”..

Pas vrasjes së Safet Sejfullait dhe plagosjes së katër personave të tjerë, policia hyri me autoblinda në lagjet shqiptare, duke nisur një ekspeditë ndëshkuese. Ajo hodhi gaz lotsjellës nëpër shtëpitë dhe objekte të ndryshme shqiptare, me qëllim t’i detyrojë qytetarët të dalin sërish në rrugë, ku më lehtë mund t’i qëllonin me armë zjarri. Në këto rrethana, popullsia shqiptare, për të mbrojtur pragun e shtëpisë, krijoi disa barrikada në rrugët e mëhallëve, duke vendosur kontejnerë dhe gjësende të tjera. Ministria e Punëve të Brendshme i përshkruan kështu këto ngjarje: “Së shpejti në këto rrugë u krijuan barrikada nga kontejnerët e mbeturinave, vetura të shkatërruara dhe goma të ndezura të automjeteve, nga ku u qëllua me armë automatike dhe pistoleta ndaj pjesëtarëve të policisë. Në atë moment në vendngjarje ndërhyri Njësia për Detyra Speciale me një transportues të blinduar për të larguar barrikadat. Për shkak të paralajmërimit dhe frikës nga transportuesi, u qëllua me armë zjarri në ajër. Barrikada e parë në rrugën ‘Cvetan Dimov’ u thye pa përdorim të armës së zjarrit, por demonstruesit formuan menjëherë një barrikadë të re, rreth 200 metra më tej në të njëjtën rrugë pranë çerdhes, nga ku u qëllua sërish në drejtim të policisë. Policia u qëllua edhe nga rrugë të tjera si ‘Sevastopollska’ dhe ‘Krimska’, ku demonstruesit u riorganizuan shpejt për të rrethuar dhe sulmuar policinë me zjarr të kryqëzuar. Një barrikadë u formua edhe në Bulevardin ‘Jugosllavia’, nga ku demonstruesit sulmuan policinë, e cila, për shkak të jetës së rrezikuar, u përgjigj me zjarr në vetëmbrojtje…”.

Lidhur me këtë, në aktpadinë e FDLNJ-së kundër Lubomir Fërçkovskit dhe gjashtë nëpunësve të tjerë të MPB-së, për “kryerje të krimeve” kundër popullsisë shqiptare gjatë ngjarjeve të 6-7 nëntorit 1992 në Bit Pazar, ndër të tjera thuhet se në orët e vona, me urdhër të ministrit të MPB-së dhe komandantëve të postkomandave policore “Beko” dhe “Bit Pazar” në Shkup, “një grup policësh mirë të armatosur” qarkulloi me autoblinda në drejtim të vendbanimit “Seravë” dhe deri te rruga “Xhon Kenedi”, zonë ku kryesisht banojnë shqiptarët. “Policia përdori bomba tymi me qëllim që qytetarët të nxirreshin jashtë nga shtëpitë e tyre, dhe pastaj të vriteshin, plagoseshin dhe terrorizoheshin”. Rrjedhimisht, në atë pjesë, përkatësisht në rrugën “Drimkoll” nr. 18, u plagos Sali Morina, i cili atëherë ishte duke u kthyer nga Panairi i Shkupit për në shtëpi. Plagosja e tij u shkaktua nga policia speciale, e vendosur në çerdhen e atëhershme “Vëllazërim Bashkimi”, tani “Fidani”.

“…Më preku një plumb në krahun e djathtë, i cili depërtoi nëpër bri dhe doli në anën tjetër të krahut,” rrëfen Sali Morina, duke shtuar: “Në atë moment, vetura u ndal dhe unë përpiqesha të zbres, kur disa policë erdhën pranë meje, dhe njëri prej tyre më kap në qafë dhe në mënyrë arrogante më urdhëronte të ecja më shpejt. Në afërsi të çerdhes ishin vendosur forca të shumta policore që qëllonin në mënyrë të pakontrolluar. Gjatë rrugës, te parku pranë urës së Bit Pazarit, pashë një grumbull njerëzish të shtrirë në tokë, mbi të cilët qëndronin disa policë të armatosur. Më vonë kuptova se njëri prej tyre ishte vëllai im, Ali Morina..”..

Pikërisht në këtë periudhë kohore, u vra Shemsedin Ibrahimi – Dini, i cili atë moment ishte duke u kthyer në shtëpi. Besnik Ismaili, në shkrimin e tij të përmendur më lart, vrasjen e Shemsdinit e përshkruan kështu: “Natën e 6 nëntorit 1992, afër rrugës ‘Virgino’, policia maqedonase hapi zjarr pa asnjë shkak ndaj Shemsedin Ibrahimit, duke e goditur me një plumb vetëm pesëmbëdhjetë metra larg pragut të shtëpisë së tij…”.

Ndërkohë, djali i të ndjerit Shemsedin Ibrahimi, Arianiti, në dëshminë e tij pohon qartë se vrasja e babait është kryer nga policia maqedonase, e cila ka shtënë me armë zjarri nga rruga “Cvetan Dimov”, duke e goditur me plumb në shpinë. Posa është plagosur, fqinjët e tij kanë dalë menjëherë dhe e kanë futur brenda në shtëpi. “Gjatë tërë kohës, babai ka qenë në vetëdije, rrëfen Arianiti. Dy fqinjë, bashkë me nënën time, e vendosin babanë në veturën tonë dhe nisen për në Poliklinikën e Çairit, pasi rruga për te Poliklinika e Bit Pazarit ishte bllokuar. Sapo kanë mbërritur atje, mjekët kanë këmbëngulur që babai të dërgohej urgjentisht në Spitalin e Qytetit. Por, për shkak të rrethanave të rënda të sigurisë, u sugjeruan të mos përdornin veturën personale. Nëna porositi një taksi dhe, bashkë me babanë e plagosur rëndë, u nisën për në spital. Kur mbërritën, Spitali i Qytetit ishte i rrethuar nga policia. Personeli mjekësor e mori babanë brenda, por policët nuk lejuan që nëna të hynte pas tij..”..
(vijon nesër)





