Rrethimi i Bit Pazarit dhe vrasja e shqiptarëve! E vërteta mbi ngjarjet e vitit 1992 (2)

featured
Press Online
04 Korrik 2026, 01:06

Nga Stacioni Policor i Bit Pazarit arritën rreth 50 policë të armatosur deri në dhëmbë, të pajisur me helmeta, jelekë antiplumb, pushkë të gjata luftarake dhe të shoqëruar nga dy autoblinda. Turma, e cila tashmë numëronte rreth 2000 deri në 3000 vetë, filloi të përleshej me ta, duke brohoritur: “Vrasës!”, “Serbofilë!”, “Shovinistë!” etj. Në ato çaste, policia filloi të përdorte gaz lotsjellës, e më pas hapi edhe zjarr me armë

Nga Qerim LITA

(vijon nga dje)

Më 10 nëntor 1992, Forumi Demokratik për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut me seli në Gostivar (FDDLNJG) informonte Federatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Paris për ngjarjen tragjike me të miturin Ali Sejdiji. Në këtë raport theksohej se 15-vjeçari ishte rrahur dhe torturuar deri në alivanosje nga policia maqedonase.

Duhet të theksohet se, ministri i Punëve të Brendshme, Lubomir Fërçkovski, mbrojti qëndrimin e tij për ngjarjen e Ali Sejdijit edhe në konferencën për shtyp më 7 nëntor 1992, por më pas u tërhoq nga deklarata e tij fillestare. Në Informatën e dytë të MPB-së, të datës 20 nëntor 1992, u pranua se Ali Sejdiji nuk ishte 19 vjeçar, siç pretendonte fillimisht ministria, por ishte i moshës së mitur. Po kështu thuhet edhe në informatën e tretë, e cila u hartua në mars të vitit 1993. Rreth këtyre deklaratave kontradiktore të MPB-së dhe të Lubomir Fërçkovskit, gazetari Daut Dauti, në një shkrim të tij të botuar më 11 nëntor 1992 në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, theksonte: “Pas incidentit me përmasa të mëdha që ndodhi pasditen e ditës së pazarit, ata që nxituan të ofrojnë ndihmë na thanë se Lubomir Fërçkovski kishte qenë kategorik në qëndrimin se djali i rrahur nga policia nuk ishte 14-vjeçar, por 19-vjeçar. Sigurisht kështu i kishin raportuar bashkëpunëtorët e tij nga stacioni policor i Bit Pazarit. Një ditë më vonë, ai do t’u deklaronte gazetarëve se megjithatë nuk bëhej fjalë për një shitës 19-vjeçar të cigareve, as 14-vjeçar, por për një të mitur 15-vjeçar”.

Vëllezërit Isa dhe Shaip Selmani

Sipas artikullshkruesit, “motivi i parë që mund të imponohet është se policia”, duke dashur të tregojë se ndaj të cilit “ishin ndërmarrë veprime (rrahje e maltretime), nuk ka qenë i mitur”, me këtë po mundohej të justifikonte masat e ndërmarra dhe të fshehë faktin se ato “nuk kanë pasur shkas të revoltoheshin”.

Vëllezërit Bafti dhe Axhbi Limani

Pikërisht kjo sjellje brutale e policisë maqedonase ndaj një të mituri shqiptar shkaktoi një revoltë të madhe te qytetarët shqiptarë. Kjo revoltë u përshkallëzua veçanërisht pas përhapjes së lajmit se një i mitur shqiptar, Ali Sejdiji, si pasojë e torturës policore maqedonase, kishte ndërruar jetë. Ky lajm, sipas dëshmive të dëshmitarëve okularë, ishte përhapur nga qarqet e atëhershme antishqiptare, përkatësisht ato sllave. Të irrituar nga kjo ngjarje, një numër i konsiderueshëm pazarxhinjë, por edhe kalimtarë të rastit – numri i të cilëve fillimisht ishte rreth 50 vetë, e që më pas u rrit deri në 300 – u drejtuan te Poliklinika e Bit Pazarit për t’u informuar mbi fatin e të miturit. Pasi konstatuan se nga ana e mjekut nuk ishte kryer një kontroll mjekësor në mënyrë profesionale, turma e qytetarëve shqiptarë u revoltua dhe filloi të shprehte publikisht pakënaqësinë e saj.

Sulejman Memishi

Ndërkohë, nga Stacioni Policor i Bit Pazarit arritën rreth 50 policë të armatosur deri në dhëmbë, të pajisur me helmeta, jelekë antiplumb, pushkë të gjata luftarake dhe të shoqëruar nga dy autoblinda. Turma, e cila tashmë numëronte rreth 2000 deri në 3000 vetë, filloi të përleshej me ta, duke brohoritur: “Vrasës!”, “Serbofilë!”, “Shovinistë!” etj. Në ato çaste, policia filloi të përdorte gaz lotsjellës, e më pas hapi edhe zjarr me armë. Në këto rrethana, demonstruesit shqiptarë u shpërndanë në katër drejtime: një grup u nis drejt rrugës “Cvetan Dimov”; grupi i dytë shkoi përpara Stacionit Policor të Bit Pazarit; grupi i tretë u drejtua nga bulevardi “Kërste Misirkov”, në drejtim të qendrës tregtare “Mavrovka”; ndërsa grupi i katërt mori kah shkolla fillore “Kongresi i Manastirit”. Grupi që shkoi përpara Stacionit Policor të Bit Pazarit paraqiti kërkesën që të ndërmerreshin masa ligjore ndaj policëve, të cilët kishin tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare.

Shemsedin Ibrahimi – Dini

Sipas vlerësimit të Forumit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, ky moment mund të ishte shfrytëzuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme për qetësimin e situatës dhe shpërndarjen e turmës, nëse do të ishte dhënë një sqarim i drejtë dhe përkatës nga ana e saj. Mirëpo, kjo nuk ndodhi, për arsye se, siç theksohet nga ky forum, bëhej fjalë për një skenar të përgatitur paraprakisht nga vetë strukturat policore. “Është indikative, – thuhet në informacionin e forumit – që dy ditë para këtij rasti u bë ndërrimi i komandantit të atij stacioni policor me një kuadër tjetër të ‘merituar’…”.

Safet Sejfullai

Grupi tjetër – më i madhi ndër të gjitha – që ishte nisur përgjatë bulevardit “Kërste Misirkov”, në drejtim të qendrës tregtare “Mavrovka”, në shenjë revolte ndaj brutalitetit policor, demoloi disa vetura të policisë dhe theu disa xhama e vitrina dyqanesh. Pjesa më e madhe e këtij grupi hyri brenda në Çarshi, por aty i priste një prani e madhe forcash policore, të cilat nisën të përdorin gaz lotsjellës, duke detyruar turmën të tërhiqej në drejtim të mbikalimit mbi bulevardin “Jugosllavia”, për t’u zhvendosur më tej kah rruga “Cvetan Dimov”.

Sadik Ismaili

Gjatë kësaj tërheqjeje, sipas Informatës së MPB-së, të datës 7 nëntor 1992, turma përmbysi dy autobusë të Ndërmarrjes së Komunikacionit Publik të Qytetit të Shkupit. Kjo ngjarje, siç e thekson deputeti Eshref Aliu në fjalimin e tij të mbajtur gjatë vazhdimit të dhjetë të mbledhjes së 56-të të Kuvendit, e cila u zhvillua më 27 prill 1993, është provokuar nga vetë shoferi i autobusit. Sipas tij, në momentin kur demonstruesit shqiptarë po parakalonin, shoferi qëllimisht rriti në mënyrë enorme shpejtësinë e autobusit, “pa marrë parasysh se mund të shkelte ndonjë qytetar”. Ndërkohë, Naif Mustafa, në fjalimin e tij të mbajtur në të njëjtën mbledhje, kritikoi ashpër policinë maqedonase për sjelljen brutale ndaj një të mituri shqiptar. Ai theksoi se, nëse do të kishte vullnet nga ana e policisë, e gjithë kjo situatë mund të kishte trajtuar në një mënyrë më elegante, por kjo nuk ndodhi. Sipas tij, kjo nuk u dëshirua fare, sepse “policia duhet të demonstrojë forcë, të mbjellë frikë dhe huti tek njerëzit, në mënyrë që qytetari të mos guxojë t’i përshëndesë me buzëqeshje dhe respekt; përndryshe, shumë rëndë për ta!…”.

Naim Saliu

Në atë kohë, rreth orës 17:30, u plagos Ibrahim Livareka, i cili kishte shkuar për një vizitë te axha i tij në lagjen Gazi Babë. Pas dëgjimit të një zhurme të pazakontë, ai doli në rrugën kryesore, pranë xhamisë “Hatunxhik”, ku papritmas u qëllua dhe ra i plagosur. Më pas konstatoi se kishte marrë dy plumba: një në krahun e majtë dhe tjetrin në bri, po në anën e majtë. Sipas bindjes së tij, plagosja ishte shkaktuar nga “snajperistë” të vendosur në ndërtesën mes Shtëpisë së Shëndetit dhe urës së Bit Pazarit, ose në ndërtesën ku sot ndodhet ordinanca stomatologjike e Dr. Fisnik Kasapit”. Sapo u plagos, Ibrahim Livareka u mor në krahë nga i ndjeri Shemsedin Ibrahimi – Dini, i cili e dërgoi menjëherë te ambulanca e Dr. Agron Zajazit. Pas dhënies së ndihmës së parë, me sugjerimin e Dr. Agronit, ai u transportua në ish-Spitalin Ushtarak për trajtim të mëtejshëm. Ky ishte incidenti i parë më i rëndë që shkaktoi policia maqedonase, i cili më pas do të përsëritej me intensitet të shtuar dhe do të merrte përmasa më të gjera, duke shkaktuar, ndër të tjera, edhe katër viktima.

Vesel Çupi

Rasti i Bit Pazarit, sipas ish-kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Stojan Andov, kishte ndodhur në mënyrë “naive”, pasi policia kishte tentuar të arrestonte dhe privonte nga liria disa të rinj dhe fëmijë, të cilët kishin qenë duke shitur cigare në mënyrë ilegale në Bit Pazar. Sipas tij, të rinjtë “rastësisht” ishin të kombësisë shqiptare. Një pohim i tillë, nga një njeri që për nga funksioni konsiderohej figura e dytë më e lartë në Republikën e Maqedonisë, jo vetëm që është tepër jo-serioz, por ka edhe një prapavijë të qartë – për të paraqitur policinë e atëhershme një-etnike si një forcë që “mbronte” të gjithë qytetarët, pa dallim etnie. Ky pohim është shprehur në librin e tij “Në mënyrën time”, botuar në vitin 2003, ku ai shton: “Arrestimi i tyre shkaktoi shqetësim në mesin e popullsisë me prejardhje etnike shqiptare në atë pjesë të qytetit dhe së shpejti para stacionit policor u tubua një masë e madhe qytetarësh, të cilët protestuan kundër sjelljes së policisë. Turma të mëdha nga lagjet fqinje iu bashkuan demonstruesve. Ndërsa turmat marshonin nëpër rrugë, ato shkaktuan dëme: thyen vitrina dyqanesh, dëmtuan dhe e përmbysën vetura të parkuara në rrugë, dhe e kundërshtuan policinë me forcë… etj.”.

Në vazhdim, Andov mbrojti me fanatizëm Partinë për Prosperitet Demokratik, duke theksuar se ajo nuk kishte marrë pjesë në organizimin e demonstratave dhe se aktivistë të saj “nuk ka pasur në mesin e demonstruesve.” Ai shtoi se udhëheqja e partisë nuk kishte pasur asnjë informacion paraprak për përgatitjen e protestave. “Deputeti Eshref Aliu, thekson më tej Andov, kur kanë filluar trazirat nuk ka qenë në Shkup, por është njoftuar nga kryetari i Republikës për ngjarjet dhe menjëherë është nisur për në Bit Pazar. Siç thuhej edhe në pjesëmarrjen e tij në debat, ashtu edhe në Informatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ardhja e tij në mesin e demonstruesve dhe para stacionit policor ka ndihmuar në qetësimin e situatës…”.

Të gjitha këto ngjarje, që u përmendën më sipër, ndodhën deri rreth orës 18:00, kur aktivistë të partive politike shqiptare u përpoqën të ndërmjetësojnë për qetësimin e situatës. Megjithatë, ndihma e ofruar nuk u pranua fare nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB-së), me arsyetimin se “ndërmjetësuesve u rrezikohej jeta”.

Isni Ibrahimi

Në konferencën për shtyp të mbajtur më 7 nëntor 1992 në Qeveri, ministri i Brendshëm, L. Fërçkovski, duke folur në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, deklaroi se “është mirë që partitë, veçanërisht ato shqiptare, kanë qëndrim konstruktiv dhe korrekt ndaj problemeve dhe ndaj incidentit.” Mirëpo, shtoi ai, “na u desh të vepronim ashpër sepse zyrtarëve apo deputetëve të caktuar të këtyre partive nuk u lejuam gjatë fazës së incidentit të kontaktojnë me turmën e tërbuar. Këtë e bëmë për shkaqe sigurie”. Për ndërmjetësimin e aktivistëve të Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) bëhet fjalë edhe në Informatën e datës 7 nëntor të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ku shprehet qartë: “Pjesëtarët e PPD-së u interesuan për ngjarjen dhe i ofruan policisë ndihmë për qetësimin e situatës, mirëpo për shkak të sigurisë së tyre nuk u lejuan të ndërhynin te turma. Kjo nga ana e tyre u komentua si refuzim i bashkëpunimit”.

Hapësira te Ura e Bit Pazarit ku grumbulloheshin të privuarit shqiptarë

Ndërkohë, ministri L. Fërçkovski, në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së Qeverisë, theksoi se personalisht kishte biseduar dy herë me përfaqësuesit e partive politike shqiptare, të cilët pas një ore e gjysmë “ofruan të qetësonin situatën. Ne u përpoqëm t’u ndihmojmë, ata u përpoqën të shkonin në stacionin e policisë, mirëpo ata nuk u pranuan.” “Gjithashtu, shtoi Fërçkovski, përpjekje për qetësimin e situatës janë bërë edhe nga një deputet dhe sekretari (Mitat Emini – Q. L.), por ata u fishkëllyen dhe u tallën”. Një shpjegim i tillë, për Forumin Demokratik të Lëvizjes së Nismës Shqiptare (FDLNJ), nuk kishte baza të arsyeshme, pasi “angazhimi i tyre do të kishte kontribuar patjetër në qetësimin e gjendjes së tensionuar, të shkaktuar nga policia”. Ndërkohë, Eshref Aliu vlerësonte se, nëse trazirat e Bit Pazarit do të përfundonin rreth orës 18:00, ato do të kalonin “shumë më lehtë” dhe me shumë më pak dhimbje. Sipas bindjes së tij, kjo do të kishte qenë e mundur nëse policia do të kishte pasur vullnetin dhe dëshirën për ta ndalur situatën.

Dhoma e shtëpisë së Adem Hysenit ku ka qenë e vendosur Rufadie Bytyqi

Mirëpo, për fat të keq, policia maqedonase, përveç se refuzoi bashkëpunimin me përfaqësuesit, përkatësisht deputetët e PPD-së, tregoi edhe një sjellje tepër arrogante ndaj tyre. Këtë e pohojnë shumë dëshmitarë me të cilët kemi biseduar, përfshirë edhe Dilaver Aliun, i cili asokohe ishte polici i vetëm shqiptar në stacionin policor të Bit Pazarit dhe që u suspendua të njëjtën ditë për shkak të refuzimit për t’u përfshirë në aksionin e dhunshëm kundër popullsisë shqiptare. Në rrëfimin e tij, ndër të tjera, ai përmend se rreth orës 22:00 në stacionin policor të Bit Pazarit “erdhën dy deputetët e atëhershëm të PPD-së, Eshref Aliu dhe Ismet Ramadani”, të cilët kërkuan të takoheshin me komandantin e stacionit për të biseduar rreth qetësimit të situatës. Mirëpo, ai refuzoi t’i pranojë, duke e porositur kujdestarin e stacionit që t’u thotë se le të kërkojnë takim me ministrin e Brendshëm, Lubomir Fërçkovski.

Vendi ku u vra Sulejman Memishi

Megjithatë, siç u përfol atë kohë, “edhe ministri nuk i pranoi”. Këtë sjellje brutale të policisë maqedonase ndaj drejtuesve politik shqiptarë e pohon edhe nënkryetari i PPD-së, Sami Ibrahimi, i cili në intervistën e dhënë për të përjavshmen maqedonase “Puls” shprehet: “…Ngjarjet në Bit Pazar ishin ashtu siç ishin – përfunduan me vitrina të thyera, me praptimin e veturave të policisë, me dëmtimin e autobusëve. Por ajo që ndodhi më vonë, në pjesën ku jeton një numër i madh shqiptarësh, mund të ishte shmangur. Unë personalisht, së bashku me katër aktivistë të PPD-së, isha në stacionin policor dhe e luta komandantin që të mos ndërmerret asnjë aksion, por situatën ta qetësojmë së bashku. Tashmë në Bit Pazar dhe në Çarshi nuk pati demonstrues. Megjithatë, u refuzuam në mënyrën më brutale të mundshme dhe madje na kanosën se do të merrnim plumb në kokë…”.

Në vend të bashkëpunimit me PPD-në, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Ljubomir Fërçkovski, në pjesën shqiptare të qytetit të Shkupit u dislokuan forca të shumta policore, përfshirë edhe njësinë speciale, të pajisura me teknikë moderne lufte: autoblinda, automjete “Pinzgauer”, veshje speciale dhe armatim të lehtë me kalibra të ndryshëm. Pjesa më e madhe e këtyre forcave u pozicionuan përgjatë Bulevardit “Jugosllavia” dhe Bulevardit “Kërste Misirkov”, përkatësisht te ura e Bit Pazarit, në rrugët “Cvetan Dimov”, “Sevastopollska” dhe “Krimska”, si dhe në rrugicat ndërmjet xhamisë “Jahja Pasha” dhe ish-çerdhes “Vëllazërim-Bashkimi” (sot “Fidani”) etj. Përveç kësaj, u bllokuan të gjitha rrugët që çonin drejt Bit Pazarit, përkatësisht drejt Çarshisë së Vjetër të Shkupit, si dhe urat dhe rrugët që lidhin dy anët e lumit Vardar, pra pjesën shqiptare të Shkupit me atë maqedonase. Sipas të dhënave të marra nga dëshmitarë okularë, del se një numër i madh i pjesëtarëve të njësive speciale të policisë flisnin në gjuhën serbe. Këtë e pohon edhe deputeti i Partisë Demokratike Popullore, Avdi Murtezani, i cili, në fjalimin e mbajtur gjatë vazhdimit të dhjetë të seancës së 56-të të Parlamentit – seancë që, siç u përmend më herët, u zhvillua më 27 prill 1992 – ndër të tjera deklaroi: “…Kam informacion se në mbrëmjen e Bit Pazarit, nga ana e një funksionari të lartë të MPB-së, pa dijeninë e ministrit, është kërkuar ndihmë nga MPB-ja e Vranjës. Pas rreth një ore e gjysmë, arriti ekspedita dhe bëri atë që bëri. Kjo përputhet me deklaratat që ne si grup parlamentar i kemi, se në mesin e policisë është komunikuar edhe në gjuhën serbe…”.

Adnan Jusuf

Rrjedhimisht, pas orës 18:30, policia maqedonase filloi aksionin e saj brutal dhe të dhunshëm kundër popullsisë shqiptare, duke rrahur dhe arrestuar njerëz, kalimtarë të rastit, punëtorë që po shkonin apo po ktheheshin nga puna, si dhe qytetarë brenda nëpër shtëpitë e tyre. Fillimisht u përdor gaz lotsjellës, e më pas edhe armë zjarri. Lidhur me këto zhvillime, më 7 nëntor 1992, Ministria e Punëve të Brendshme informonte Qeverinë e Maqedonisë me njoftimin e mëposhtëm: “Nga ana e policisë është kryer bllokimi i tërësishëm i hapësirës me kontrolle të shtuara në hyrje-daljet e pikave të qytetit. Janë marrë masa dhe është bërë inspektim në të gjitha vendet ku ka pasur sjellje të dhunshme të turmës. Janë legjitimuar më shumë persona të dyshimtë, ndërsa 87 persona janë ndaluar në Stacionin Policor për verifikimin e identitetit dhe për të sqaruar përfshirjen e tyre në trazira. Kundër të njëjtëve, pas dokumentimit të aktiviteteve të tyre, do të ngrihen padi për kundërvajtje, përkatësisht akuza penale për ata që i janë kundërvënë policisë me armë zjarri. Nga masat e ndërmarra deri më tani janë identifikuar shtatë persona që kanë bërë thirrje dhe i kanë organizuar këto trazira, ndaj të cilëve do të merren masa ligjore.

Njëkohësisht, MPB-ja do të verifikojë të gjitha informatat që çojnë në konkludimin se, gjatë rrjedhës së këtyre ngjarjeve, është shtënë nga ndërtesat e banimit që ndodhen në hapësirën e Bit Pazarit”.

(vijon nesër)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter