Xhavit Haliti është thirrur zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme e Brukselit për të dëshmuar në një proces gjyqësor që do të mbahet në Belgjikë,shkruan IndeksOnline.
Sipas dokumentit zyrtar të përmbaruesit gjyqësor, Haliti është ftuar të paraqitet më 19 nëntor 2026, në orën 12:00, para Gjykatës së Krimeve të Rënda me Juri në provincën Brabant Wallon, në qytetin e Nivelles. Prania e tij kërkohet nga ora 11:30.
Thirrja është bërë në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Andrija Draskovic, i lindur më 3 nëntor 1964 në Mitrovicën e Kosovës, i cili përballet me akuza për vepra të rënda penale.
Në dokument thuhet se Xhavit Haliti është thirrur për të dhënë dëshmi lidhur me faktet e përfshira në aktakuzën ndaj Draskovic.
Thirrja është lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit në Bruksel, ndërsa njoftimi zyrtar i është dorëzuar Halitit përmes përmbaruesit gjyqësor Philippe Grumbers.
Dokumenti thekson se paraqitja e dëshmitarit është e detyrueshme dhe se mosparaqitja mund të sjellë pasoja ligjore, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.
Seanca pritet të mbahet në Pallatin e Drejtësisë II, në adresën Rue Clarisse 115, në Nivelles të Belgjikës.
Shënim: Ky lajm është hartuar mbi bazën e një përkthimi të pacertifikuar nga frëngjishtja të dokumenteve të publikuara në dispozicion.


