Putin: Nuk shoh arsye për t’u takuar me Volodymyr Zelensky

featured
Press Online
05 Qershor 2026, 22:52

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi sot se aktualisht nuk sheh arsye për një takim kokë më kokë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, pasi ky i fundit publikoi një letër të hapur ku propozonte bisedime të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e pestë.

Në letrën e tij, Zelensky argumentoi se shumica e rusëve janë lodhur nga sulmet me dronë dhe raketa, inflacioni i lartë dhe mungesat e karburantit, duke shtuar se vazhdimi i luftës mund të rrezikojë edhe pozitën politike të Putin.

Duke folur në një forum ekonomik në Shën Peterburg, presidenti Putin tha se letra nuk dukej si një ofertë e sinqertë për dialog.

“Nuk e shoh kuptimin e një takimi”, tha ai, duke shtuar se qëllimi kryesor i Ukrainës është të ndalojë avancimin e forcave ruse.

Sipas  presidetit Putin, fillimisht ekspertët duhet të punojnë për gjetjen e zgjidhjeve dhe më pas mund të zhvillohet një takim në nivel të lartë. Ai theksoi se Rusia kërkon marrëveshje afatgjata dhe jo armëpushime të përkohshme.

Qëndrimi i Kremlinit mbetet i pandryshuar; Moska pretendon se trupat e saj po përparojnë çdo ditë në front dhe se një marrëveshje paqeje është e mundur vetëm nëse Kievi pranon kompromise. Nga ana tjetër, Ukraina akuzon Rusinë se nuk është e gatshme për lëshime dhe refuzon të njohë sovranitetin rus mbi territoret e pushtuara.

Lufta vazhdon të mbetet një konflikt rraskapitës, me humbje të mëdha në të dyja anët. Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, ndërsa sulmet me dronë dhe raketa vazhdojnë si në Ukrainë ashtu edhe brenda territorit rus.

Ndërkohë, sanksionet perëndimore dhe goditjet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse po ushtrojnë presion gjithnjë e më të madh mbi ekonominë ruse, duke forcuar zërat brenda elitës ekonomike që kërkojnë një zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter