VMRO-DPMNE ka akuzuar udhëheqësinë e sindikatës për mungesë transparence dhe keqpërdorim të mjeteve të anëtarësisë, duke kërkuar sqarime lidhur me shpenzimet për organizimin e lojërave sportive në Mal të Zi. Nga partia opozitare pyesin nëse rreth 60 mijë euro nga fondet sindikale janë shpenzuar për privilegje të një grupi të ngushtë anëtarësh, në vend që të përdoren për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të punëtorëve.
Në vazhdim ua sjellim komunikatën e plotë të VMRO-DPMNE-së:
Punëtorët paguajnë anëtarësinë që sindikata t’i mbrojë të drejtat e tyre, e jo që udhëheqësia të organizojë udhëtime të shtrenjta, privilegje dhe argëtime për individë të përzgjedhur. Publiku meriton përgjigje nëse vërtet janë shpenzuar rreth 60.000 euro nga mjetet sindikale për lojëra sportive në Mal të Zi. A janë përdorur këto mjete, të mbledhura nga xhepi i punëtorëve, për të kënaqur interesat e një rrethi të ngushtë anëtarësh të privilegjuar? Këtë e pyesin nga VMRO-DPMNE përmes një komunikate drejtuar opinionit publik.
Gjithashtu, Deanoski dhe Trendafilov duhet të tregojnë nëse përzgjedhja e lokacionit është bërë për t’u dalë në ndihmë individëve të afërt me LSDM-në dhe nëse për shkak të kalkulimeve të tilla janë margjinalizuar dhe degraduar anëtarë të kahershëm dhe meritorë të sindikatës.
Në vend që të luftojë për paga më të larta, kushte më të mira pune dhe mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, opinioni publik po dëshmon një politikë privilegjesh, selektiviteti dhe shpenzimi jotransparent të parave të anëtarësisë.
Anëtarët kanë të drejtë të dinë se ku kanë përfunduar paratë e tyre dhe kush do të mbajë përgjegjësi.
Sindikata nuk guxon të jetë klub privat për individë të privilegjuar. Ajo ekziston për punëtorët, e jo punëtorët për të.
Ka ardhur koha për transparencë të plotë, llogaridhënie dhe përgjegjësi.




