Një person ka mbetur i lënduar nga arma e zjarrit në Junik, ndërsa rasti po hetohet nga policia.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ngjarja është raportuar më 1 qershor, rreth orës 20:30, nga QKMF në Junik, ku është bërë e ditur se një person po trajtohej në shtëpinë e tij pas plagosjes me armë zjarri.
Menjëherë pas njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur ekipin mjekësor që kishte ofruar ndihmën e parë. I lënduari më pas është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Gjakovë, ndërsa për shkak të natyrës së plagëve është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka sekuestruar një armë automatike AK-47, dy karikatorë, 51 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe një gëzhojë.
Sipas hetimeve fillestare, i dyshuari dyshohet se është vetëplagosur dhe aktualisht po trajtohet në QKUK-Prishtinë.




