Një burrë 58-vjeçar dyshohet se ka përdhunuar një vajzë 15-vjeçare nga Tetova, ndërsa nëna e saj 37-vjeçare, megjithëse kishte dijeni për ngjarjen, nuk e kishte denoncuar rastin tek autoritetet kompetente.
Rasti u paraqit më 28 maj në SPB Tetovë nga gjyshja e vajzës.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur në dhjetor të vitit 2024, kur e mitura po kthehej nga Tetova drejt fshatit të saj me një furgon të drejtuar nga i dyshuari.
Ai dyshohet se e ka ndaluar automjetin gjatë rrugës dhe, duke përdorur forcë, ka kryer akt seksual ndaj vajzës.
Rasti ka mbetur i pazbuluar për një periudhë të gjatë. E mitura më vonë i ka treguar nënës së saj për atë që kishte ndodhur, por ajo nuk e ka raportuar ngjarjen. Sipas të dhënave, në atë periudhë nëna kishte një lidhje me të dyshuarin.
Ngjarja doli në dritë pasi për të mësoi gjyshja 62-vjeçare e vajzës, e cila më 28 maj e denoncoi rastin në polici.
Policia ka arrestuar 58-vjeçarin e dyshuar, si dhe nënën 37-vjeçare. Për rastin është njoftuar Prokuroria Publike, ndërsa pas dokumentimit të plotë pritet ngritja e kallëzimeve përkatëse penale.




