Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha ka reaguar pas komenteve të shumta në rrjet që vunë në shënjestër pamjen e saj fizike pas paraqitjes në “American Music Awards 2026”, event i mbajtur më 25 maj.
Sipas “People”, artistja u përball me kritika dhe krahasime të shumta në rrjetet sociale, ku disa përdorues komentuan ndryshimet në pamjen e saj.

Një postim në platformën X (ish-Twitter) krahasoi një foto të vjetër të këngëtares me një video nga AMA-t, duke pyetur ndjekësit:
Ji e sinqertë… cili është mendimi yt i parë?
Megjithatë, Bebe Rexha vendosi të mos përfshihej në debatet online dhe iu përgjigj situatës me ironi dhe qetësi, duke e kthyer vëmendjen te muzika e saj e re.

Në reagimin e publikuar më 27 maj në X, ajo shkroi:
Mendimi im është… albumi im i ri ‘Dirty Blonde’ del më 12 qershor. Është i disponueshëm për porosi (pre-order) tani.
Kjo nuk është hera e parë që artistja flet për komentet që merr lidhur me trupin dhe pamjen e saj. Rexha ka qenë shpesh e hapur për presionin që përjetojnë figurat publike dhe për gjuhën fyese që qarkullon në rrjete sociale.

Në një reagim të mëhershëm, ajo kishte shkruar:
Qeniet njerëzore kalojnë luhatje peshe… është jeta dhe ju nuk e dini çfarë po kalojnë njerëzit. Medikamente, sëmundje, etj.
Këngëtarja ka folur publikisht edhe për problemet e saj shëndetësore, përfshirë sindromën e vezoreve policistike (PCOS), një çrregullim hormonal që shpesh lidhet me shtim në peshë dhe rezistencë ndaj insulinës.

Rexha ka shprehur vazhdimisht bezdinë që pamja e saj fizike bëhet objekt diskutimi në internet.
Në vend që të përballej me komentuesit, këtë herë artistja zgjodhi ta përdorë gjithë vëmendjen për të promovuar projektin e saj më të ri, albumin “Dirty Blonde”, i cili do të publikohet më 12 qershor dhe shënon albumin e saj të katërt në karrierë.




