Në Serbi, sëmundja e obsesioni me Kosovën janë kronike dhe Kosova vazhdon të mbetet boshti i çdo beteje të brendshme politike. Studentët serbë me qëndrimet e tyre në raport me Kosovën i kanë devalvuar edhe kërkesat e tyre legjitime, dhe janë zhvendosur në një terren fashizmi, që ka qenë edhe strehë e serbomëdhenjëve si Garashanini, Çubriloviqi e plot të tjerë si ta…
Nga Jeton NEZIRAJ
Kur në Kosovë njerëzit i dëgjojnë o lexojnë afër njëra-tjetrës fjalët “memorandum” dhe “Serbi”, gjëja e parë që u bie ndërmend janë memorandumet e Ilija Garashaninit, Vasa Çubriloviqit apo Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU). Këto memorandume, në raport me Kosovën dhe shqiptarët, kanë promovuar, inkurajuar dhe legjitimuar politikat hegjemoniste serbomëdha. E, krejt befasishëm, këtyre ditëve, edhe studentët serbë që janë duke protestuar (studentët në bllokadë), publikuan një memorandum (të ashtuquajturin Memorandum për Kosovën dhe Metohinë), që është në frymën dhe mendësinë e memorandumeve të mëparshme serbe për Kosovën e rreth Kosovës.
Në përgjithësi, në Kosovë mirëpritet çdo kritikë dhe çdo forcë politike që i kundërvihet autokratit Vuçiq dhe qasjes luftënxitëse që ai dhe të tillët si çifti i tij promovojnë atje. Prandaj, edhe kur në Serbi nisën protestat e studentëve kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes, ato në Kosovë u përcollën me interes. Megjithëse, dorën në zemër, intelektualët e politikanët vendorë ishin të matur në shprehjen e solidaritetit me protestuesit, duke qenë të vetëdijshëm që kjo mund t’i shërbente Vuçiqit si armë kundër protestuesve.
Mirëpo, ndërkohë, kur nga ato protesta studentore nisën të shihen e dëgjohen parulla antishqiptare e luftënxitëse, si ajo “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, njerëzit këtu u befasuan. Kur pyesja për këtë gjë miqtë serbë që i mbështetnin studentët, përgjigja ishte se protestat ishin rritur dhe se ishte e vështirë të kontrollohen grupet radikale e nacionaliste, e të cilat, sipas tyre, edhe mund të ishin të infiltruara nga pushteti. Madje, kishte edhe nga ata që më thonin: paj, ata duhet të pozicionohen (tani për tani) kundër pavarësisë së Kosovës, përndryshe do ta humbnin mbështetjen. Studentët po përdorin, më thonin ata, çdo lloj karte për ta rritur mbështetjen, deri në realizimin e qëllimit, që është përmbysja e pushtetit të Vuçiqit.
Një Serbi demokratike është në interes të krejt rajonit, ama a ka gjasa të shohim një Serbi demokratike, shumë shpejtë? Pozicionimi i këtillë i studentëve serbë në raport me Kosovën, përmes këtij memorandumi, edhe nëse kjo bëhet për konsum të brendshëm e populizëm, lë shije të keqe. Në të vërtetë, dëshmon se atje sëmundja e obsesioni me Kosovën janë kronike dhe Kosova vazhdon të mbetet boshti i çdo beteje të brendshme politike. Studentët serbë me qëndrimet e tyre në raport me Kosovën i kanë devalvuar edhe kërkesat e tyre legjitime, dhe janë zhvendosur në një terren fashizmi, që ka qenë edhe strehë e serbomëdhenjëve si Garashanini, Çubriloviqi e plot të tjerë si ta. Përse do të duhej që për një përpjekje politike, legjitime, për përmbysjen e një pushteti të korruptuar atje, të futet në kalkulim Kosova? Hamleti, për aktorin që i jep si shumë zjarr vajtimit për Hekubën thotë: “Çka Hekuba me të, ç’e ka ky Hekubën, që po ma qanë?” Prandaj, vërtetë, çka ka Kosova me studentët serbë, ç’e kanë ata Kosovën, që po ma qajnë e vajtojnë, vend e pa vend? Kosova vërtetë u ka shërbyer për ta fituar e mbajtur pushtetin shumë teveqelëve politikë në Serbi, por si u bëka që mund t’u shërbejë edhe studentëve që janë duke luftuar korrupsionin dhe keqqeverisjen? Mënyra e vetme që Kosova mund t’u shërbejë atyre është të frymëzohen nga përpjekja këmbëngulëse e shqiptarëve të Kosovës për t’u çliruar nga zgjedha e regjimit të Milosheviqit dhe për ta fituar lirinë e pavarësinë.
Kur një mik ma përcolli informatën e shkurtër për memorandumin e studentëve serbë, gjëja e parë që i shkrova ishte, ‘po kujt po i ha ka*i se çka mendojnë studentët serbë të mbledhur në Kragujevc’?
Dhe, vërtetë, në fund të fundit, kujt në Kosovë sot ia nin’ se çfarë broçkullash fashiste publikojnë studentët serbë në Kragujevc, dhe kudo tjetër?
- Autori është dramaturg i njohur


