Një dron rus goditi një pallat banimi në qytetin Galați të Rumanisë, pranë kufirit me Ukrainën, duke lënë të plagosur lehtë dy persona. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë, vend anëtar i NATO-s, e cila tha se incidenti ndodhi gjatë natës së 28-29 majit.
Sipas autoriteteve rumune, Rusia rifilloi sulmet me dronë ndaj objektivave civile dhe infrastrukturës në Ukrainë, pranë kufirit lumor me Rumaninë. Njëri prej dronëve hyri në hapësirën ajrore rumune, u monitorua nga radarët deri në pjesën jugore të qytetit Galați dhe më pas u rrëzua mbi çatinë e një pallati, duke shkaktuar zjarr.
Ky është rasti i parë i raportuar kur një dron rus godet drejtpërdrejt një ndërtesë të banuar në territorin rumun, megjithëse shkelje të hapësirës ajrore nga mjete ajrore pa pilot janë regjistruar disa herë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Fire and rescue services rush to the site of a Russian drone attack on a residential building in Galați, Romania. pic.twitter.com/jaQUag4Syq
— OSINTdefender (@sentdefender) May 29, 2026
Pas identifikimit të dronëve pranë hapësirës ajrore rumune, dy avionë luftarakë F-16 u ngritën menjëherë nga baza ajrore në Fetesti dhe morën autorizim për t’u angazhuar ndaj objektivave.
Shërbimet rumune të emergjencës njoftuan se ngarkesa shpërthyese e dronit detonoi plotësisht në momentin e përplasjes. Dy banorë të apartamentit të goditur pësuan lëndime të lehta dhe morën ndihmë mjekësore në vendngjarje.
Ndërkohë, në Ukrainë u shpall alarm ajror në të gjithë territorin gjatë natës për shkak të sulmeve të reja ajrore ruse.
/vizionplus.tv




