Rei Manaj çuditi jo pak me vendimin e tij për të braktisur klubin e Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe vetëm pak muaj pasi kishte zbarkuar atje, për t’u kthyer përsëri te Sivaspor në Turqi. Lojtari u kishte treguar me mesazhe tifozëve që kishte hequr dorë nga miliona euro për këtë vendim, pasi kishte prishur kontratën me sheikët.
Ai u kthye në Turqi dhe po gjente formën më të mirë, kur u përball me një tjetër dëmtim që e la jashtë fushës së lojës për pjesën e fundit të sezonit, duke mos ndihmuar kubin që të siguronte play-off për ngjitjen në Superligë. Një rezultat ky me pasoja për klubin e Sivaspor dhe për vetë futbollistin, që ka marrë një vendim i cili ka gjetur shumëkënd të papërgatitur.
Burime pranë klubit kanë bërë të ditur se pasi Manaj ka mësuar se presidenti dhe bordi drejtues i Sivaspor kanë dhënë dorëheqjen, edhe ai ka bërë valixhet gati dhe nuk do të vazhdojë më të jetë pjesë e këtij klubi. Manaj ka bërë të qartë se nuk do të vazhdojë të luajë në kategorinë e dytë turke në sezonin e ardhshëm dhe kështu ka nisur kërkimin për një klub tjetër, me disa të ndryshëm të Superligës turke që kanë shfaqur interes.
LEXO EDHE: Vllaznia-Egnatia vendos fatin e Final Four, ja dy skenarët që duhet të dini dhe statistikat!
Mbetet të mësohet nëse kontrata e tij parashikon një largim të tillë, apo nëse drejtuesit e rinj të Sivaspor do të bëhen pengesë për largimin e lirë të sulmuesit të Kombëtares shqiptare edhe pse ai bëri sakrificë për ta.
LEXO EDHE: Ndryshimet te Milani, Alegri: Tani nuk asnjë vlerë të flasësh për Taren dhe të tjerët!



