Si ndihet një i ri kur mbetet pa internet? A bëhet nervoz, ankthioz? Për disa nga gjeneratat e reja, kjo është diçka e panjohur.
“Nuk mund të vijë deri te nervoza apo ankthi për shkak të mungesës së internetit, sepse qasja është e vazhdueshme dhe e pandërprerë. Mungon vetëm për disa sekonda, kur nuk mund ta gjesh telefonin”, vëren me humor një i ri, në përgjigjen e tij në pyetësorin e BIRN-it për varësinë e të rinjve nga teknologjia.
Ai pranon se një varësi e tillë ekziston dhe se teknologjia ndikon fuqishëm në jetën e njerëzve të gjeneratës së tij.
“Ndikon në çdo mënyrë, për fat të keq. Të lidh pas ekranit”, shton ai.
Prej kohësh, telefoni mobil nuk është më vetëm mjet komunikimi apo përmbushjeje detyrash. Për shumë adoleshentë, ekrani është drita e fundit që shohin para gjumit dhe e para kur zgjohen në mëngjes. Prandaj, kur bie sinjali, humbet edhe qetësia, shkruan Prizma, përcjell PressOnline.al.
Çështja e përdorimit të tepërt të teknologjisë te të rinjtë dhe krijimi i të ashtuquajturës varësi teknologjike nuk është e re. Që në gjysmën e dytë të viteve 1990, në qarqet profesionale të shëndetit mendor flitej për varësinë nga interneti.
Disa shtete kanë punuar intensivisht për këtë problem tashmë prej më shumë se një dekade, por në Maqedoni ai është reduktuar kryesisht në aktivitete të organizatave joqeveritare, gjetjet dhe rekomandimet e të cilave askush nga shteti nuk i dëgjon dhe shpesh harrohen sapo përfundojnë projektet. Vetëm në dy-tre vitet e fundit institucionet kanë filluar ta përmendin varësinë nga interneti, duke i kushtuar ndonjë fjali në strategjitë më të gjera për zhvillimin rinor, por pa zgjidhje konkrete dhe të orientuara.
Ndërkohë, disa gjenerata të rinjsh u rritën pa e ngritur shikimin nga telefonat. Kjo nuk do të thotë se çdo përdorim i teknologjisë është problematik, por problemi i përdorimit të tepërt të saj është neglizhuar te ne.
Vonesë prej të paktën tetë vitesh
Në fund të dekadës së kaluar, në shumë pjesë të botës filluan të kërkoheshin zgjidhje për teknologjinë si burim varësie. Në vitin 2018, Britania e Madhe hapi klinikën e saj të parë për trajtimin e varësisë nga interneti, si pjesë e sistemit publik shëndetësor. Kina, në vitin 2019, ndaloi që të miturit të luanin lojëra online gjatë natës dhe ua kufizoi kohën në 90 minuta në ditët e punës. Në SHBA pati iniciativë për ligj që do të zvogëlonte varësinë nga rrjetet sociale, por ai nuk u miratua. Edhe kompanitë morën masa. Apple prezantoi matjen e kohës së kaluar në telefon, ndërsa Google funksionin për errësimin e ekranit gjatë natës.
Në vitin 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi zyrtarisht varësinë nga lojërat online si çrregullim. Kjo u bë vetëm për lojërat, sepse për to kishte mjaftueshëm prova. Megjithatë, psikologët, si në Maqedoni ashtu edhe në botë, paralajmërojnë se rreziqe të varësisë ekzistojnë edhe te rrjetet sociale dhe forma të tjera të përdorimit të teknologjisë për argëtim.
Në atë periudhë, edhe në Maqedoni disa organizata joqeveritare e hapën temën e ndikimit të teknologjisë në gjendjen psikologjike të të rinjve, përfshirë edhe varësinë. U realizuan projekte, fushata dhe hulumtime. Por askush nga shteti nuk u përpoq t’i dëgjojë apo të zbatojë ndonjë zgjidhje të propozuar.
Një prej tyre është Shoqata për Disleksi “Ajnshtajn”, e cila në bashkëpunim me shkollat fillore dhe Komunën e Karposhit e zbatoi projektin “Teknologjitë moderne, dobi apo varësi” në vitin 2018. Të dhënat e mbledhura treguan se që atëherë telefonat mobil përdoren masivisht gjatë mësimit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në vëmendjen, të nxënit dhe përfshirjen e fëmijëve.
Anketa me mësimdhënësit tregoi se sipas 77 për qind të tyre, telefonat pengojnë përvetësimin e dijes, ndërsa sipas 82 për qind ndikojnë në fokusin dhe të menduarit. Rreth 84 për qind e mësuesve konstatuan se telefonat kontribuojnë në uljen e komunikimit mes nxënësve, ndërsa 90 për qind thanë se mësimi do të zhvillohej më mirë pa to.
Në bazë të këtyre gjetjeve, Komuna e Karposhit miratoi rregullore për kufizimin e përdorimit të pajisjeve mobile në klasë dhe u vendosën edhe zgjidhje praktike për kontrollin e tyre, si vende ku lihen telefonat gjatë orës mësimore. Më vonë edhe komuna dhe shkolla të tjera vendosën masa të ngjashme.
Përfundimet e hulumtimit u prezantuan përmes debateve publike dhe diskutimeve profesionale. Por, megjithëse projekti dha rezultate konkrete në nivel lokal, në nivel kombëtar u prit vetëm me zotime deklarative.
Vetëm në maj të këtij viti, tetë vjet pas iniciativave të para, u paralajmërua se kjo do të bëhet zgjidhje sistemore. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se ndalesat dhe kufizimet për përdorimin e telefonave do të vendosen edhe në shkollat fillore dhe të mesme.
Si e ndiejnë të rinjtë dhe prindërit varësinë
Ajo që e dallon varësinë teknologjike nga varësitë e tjera të sjelljes është se ajo mundësohet brenda vetë shtëpisë, në familjen ku rritet i riu, nga vetë prindërit. Një studim i Universitetit Stanford në Kaliforni tregoi se mbi 90 për qind e fëmijëve e marrin telefonin e tyre të parë në moshën 10 deri në 12 vjeç.
Një e dhënë e tillë për Maqedoninë nuk ekziston, por përvojat e shumë prindërve tregojnë se kjo është mosha e zakonshme kur fëmijët marrin smartphone, më së shumti sepse “të gjithë të tjerët në klasë kanë”. Ndonjëherë është telefoni i vjetër i prindit, ndonjëherë model i ri e më i shtrenjtë.
Në vitet që pasojnë, prindërit i vërejnë pasojat.
“Bëhet nervoz dhe i painteresuar për gjëra të tjera.”
“Ndikon në gjithçka, sidomos në vëmendjen e saj.”
“Sukses më i dobët në shkollë, më pak përqendrim dhe ndikim negativ në jetën sociale.”
“Ndjenjë ankthi dhe frike të lehtë.”
Këto janë disa nga përgjigjet që morëm nga prindërit në pyetësorin për varësinë e të rinjve nga teknologjia, konkretisht në pyetjen se si ajo ndikon në sjelljen e tyre.
Gjithsej 33 persona iu përgjigjën pyetësorit, gjysma të rinj që ndanë përvojat e tyre dhe gjysma prindër që folën për fëmijët e tyre adoleshentë ose në të njëzetat e hershme.
Në fillim të këtij muaji, aktorja Vesna Petrushevska nisi një iniciativë për ndryshime ligjore me të cilat do të kufizohej qasja e të miturve në rrjetet sociale, si për sigurinë e tyre ashtu edhe për mbrojtjen nga varësia. Ajo hapi një peticion online me synimin për të mbledhur 10 mijë nënshkrime. Deri tani janë nënshkruar mbi 13 mijë persona.
Këto pyetësorë nuk kanë mostër përfaqësuese dhe nuk kanë cilësinë e sondazheve të opinionit publik, por megjithatë është tregues fakti që 11 nga 15 të rinjtë pjesëmarrës thanë se ndiejnë varësi nga teknologjia, ndërsa 10 prindër e thanë të njëjtën për fëmijët e tyre.
Për një pjesë të të rinjve është e zakonshme të përdorin telefonin ose kompjuterin më shumë se tetë orë në ditë, dhe jo për aplikacione të lidhura me punën ose arsimin, por për lojëra dhe rrjete sociale. Vetëm një e treta e atyre që u përgjigjën thanë se kanë arritur ta zvogëlojnë kohën e kaluar në pajisje elektronike. Te të tjerët, përpjekjet kanë qenë ose të pasuksesshme, ose me rezultate afatshkurtra.
Askush nga ata që u përgjigjën nuk dinte për institucione, programe apo iniciativa ku mund të kërkohej ndihmë për varësinë teknologjike. Vetëm njëri, me shaka, tha se institucioni që mund ta ndihmojë është operatori telefonik, nëse ia ndërpret internetin.
Problemi nuk janë orët, por efekti në shëndetin mendor
Kufiri mes përdorimit intensiv dhe varësisë nga teknologjia nuk matet vetëm me numrin e orëve para ekranit, por me kontrollin dhe pasojat që ajo lë në jetën e përditshme të të rinjve, thotë Emilija Boshkovska, psikologe nga Shkupi dhe themeluese e qendrës “Metamotivacija”.
Sipas saj, alarmi ndizet kur i riu bëhet nervoz pa internet ose telefon, neglizhon gjumin, detyrimet shkollore dhe kontaktet sociale, ose nuk mund ta ndërpresë përdorimin pavarësisht efekteve negative.
“Pëlqimet” dhe reagimet për një pjesë të të rinjve bëhen matës i vlerës personale, ndërsa komunikimi virtual gradualisht e zëvendëson afërsinë reale, shton ajo.
“Problemi në Maqedoni më së shpeshti njihet vetëm kur pasojat tashmë janë bërë të dukshme, përmes rënies së suksesit shkollor, ankthit, konflikteve familjare ose tërheqjes sociale. Nevojitet një qasje më e fortë parandaluese, me më shumë edukim në shkolla, mbështetje për prindërit dhe fushata publike për shëndetin mendor”, thotë Boshkovska.
Në punën me rastet e varësisë teknologjike, ajo thotë se sfida më e madhe është se teknologjia nuk mund të hiqet plotësisht nga jeta e të rinjve, sepse ajo është pjesë e komunikimit të përditshëm, arsimit dhe jetës sociale. Prandaj, qasja më së shumti bazohet në krijimin e rutinave të shëndetshme, kufizimin e aplikacioneve stimuluese dhe përmirësimin e komunikimit familjar.
Psikologët shkollorë pa udhëzime sistemore
Shpërqendrim, përqendrim i ulët dhe vështirësi me vëmendjen gjatë mësimit kanë vërejtur psikologët në shkollat e mesme, të cilët çdo ditë e shohin drejtpërdrejt ndikimin e teknologjisë te të rinjtë.
Sipas tyre, gjithnjë e më shpesh vërehen edhe ankth, vetëbesim i ulët dhe pakënaqësi te nxënësit, sidomos për shkak të krahasimit të vazhdueshëm me përmbajtjet në rrjetet sociale.
“Pothuajse nuk ka nxënës që gjatë kohës kur mëson ose shkruan detyra në shtëpi, të mos e ketë telefonin pranë vetes. Janë të shprehura fenomenet FOMO dhe FOBO, si dhe nomofobia – frika nga humbja e telefonit mobil”, thotë psikologia Ana Poprizova nga shkolla e mesme “Orce Nikollov” dhe kryetare e Aktivit të shërbimeve profesionale të shkollave të mesme në Shkup.
FOMO është shkurtesë nga anglishtja fear of missing out (frika se po humbet diçka), ndërsa FOBO nga fear of better options (frika se ekzistojnë opsione më të mira), fenomene që psikologjia i shpjegon si shkaktarë të ankthit, kur njerëzit mendojnë vazhdimisht për atë që po humbasin, në vend që të jetojnë realitetin që i rrethon.
Varësia fillon të zhvillohet shumë herët, shton psikologia Kristina Atanasova nga gjimnazi “Josip Broz Tito” në Shkup.
“Larushia e ngjyrave dhe sinjalet tërheqëse audio janë veçanërisht interesante për shqisat e fëmijëve. Ekspozimi ndaj ekraneve fillon që në moshë shumë të hershme, para se të hyjnë në adoleshencë”, thotë Atanasova.
Të dyja kanë vërejtur se gjatë pushimeve të mëdha nxënësit qëndrojnë në grupe, por secili mban telefonin në dorë, duke ulur ndjeshëm komunikimin e drejtpërdrejtë.
Deri tani nuk u ka ndodhur që ndonjë nxënës të kërkojë ndihmë për varësi nga teknologjia, por kanë kërkuar ndihmë për sukses të dobët në shkollë, që ka qenë pasojë e përdorimit të tepërt të pajisjeve elektronike.
Psikologët konsiderojnë se shkollat kanë kapacitet për t’u përballur me problemin, sidomos përmes shërbimeve profesionale dhe bashkëpunimit me mësimdhënësit dhe prindërit. Janë trajtuar raste individuale dhe janë organizuar punëtori grupore, por ka munguar një qasje më e gjerë sistemore dhe mbështetje institucionale.
Të dyja bashkëbisedueset thanë se deri tani nuk kanë marrë asnjë udhëzim, trajnim apo mbështetje nga institucionet shtetërore, të orientuara konkretisht për zgjidhjen e problemit të varësisë nga teknologjia.
Vetëm dy-tri fjalë në dokumente me dhjetëra faqe
Dokumentet strategjike maqedonase merren me varësitë e zakonshme te të rinjtë – alkoolin, substancat psikoaktive, bixhozin dhe ushqimin – dhe së bashku me to kanë filluar ta përmendin edhe varësinë nga teknologjia.
Varësia nga interneti përmendet vetëm një herë në Strategjinë Kombëtare për të Rinjtë 2023-2027 prej 50 faqesh dhe dy herë në planin aksional prej 130 faqesh të lidhur me atë strategji. Strategjia për shëndetin mendor të të rinjve merret me internetin si burim rrezikesh (ngacmime, dhunë digjitale), por jo si varësi.
U përpoqëm të bisedojmë me disa ministri për këtë temë. Përgjigje morëm nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Transformimit Digjital, ndërsa ministritë e Shëndetësisë dhe të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë nuk u përgjigjën.
Nga Ministria e Transformimit Digjital thonë se çështjen e përdorimit të tepërt të teknologjisë e trajtojnë përmes projektit “MkSafeNet”, me të cilin është krijuar Qendra Kombëtare për Internet më të Sigurt.
Në kuadër të projektit janë realizuar aktivitete në 75 shkolla, ndërsa janë në dispozicion edhe materiale edukative dhe protokolle për raportimin e ngacmimeve online.
Qendra funksionon si iniciativë multisektoriale me universitete, organizata civile dhe institucione, ndërsa si kanale mbështetëse përmenden platforma “Alo Bushavko” dhe numri evropian 116 111. Sipas Ministrisë, deri tani janë përfshirë mbi 2.500 nxënës, 500 mësues dhe 150 prindër.
Megjithatë, edhe ky projekt fokusohet kryesisht në sigurinë në internet, si një tjetër temë e rëndësishme për të rinjtë, e jo në varësinë nga teknologjia.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në pyetjen se çfarë mund të ndërmerret lidhur me varësinë nga teknologjia, u përgjigjën se në shkolla janë mësimdhënësit ata që duhet të përcaktojnë në çfarë mase mund të përdoren pajisjet elektronike gjatë mësimit, ndërsa nëse ka nevojë, Ministria mund të përfshihet për të përcaktuar dhe zbatuar programe të përbashkëta.
Tema e varësisë teknologjike ka hyrë vonë në politikat për të rinjtë dhe ende nuk trajtohet si problem më vete. Derisa kjo të ndodhë, gjenerata të reja përdoruesish të pajisjeve elektronike do të rriten me përdorim të tepërt ose të gabuar të tyre, pa e ditur as që kanë problem, e as si mund të ndihmohen.



