Maqedonia mes Europës dhe iluzionit të stagnimit

Mesazhet e fundit nga Brukseli tregojnë se dera e BE-së mbetet e hapur për Ballkanin Perëndimor, por Shkupi rrezikon të mbetet peng i retorikës nacionaliste, stagnimit institucional dhe mungesës së guximit politik për vendime strategjike.

featured
Press Online
13 Maj 2026, 09:16

Nga Destan Jonuzi

Në kohën kur Bashkimi Evropian po dërgon sinjalet më të qarta të viteve të fundit për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut po sillet sikur integrimi europian është barrë politike e jo shans historik. Deklaratat e komisioneres për zgjerim të BE-së, Marta Kos, se “ka vend në BE për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, duhej të ishin alarm pozitiv për klasën politike në Shkup. Por në vend të mobilizimit për reforma dhe konsensus shtetëror, vendi vazhdon të humbasë kohë në konflikte të brendshme dhe narrativa patriotike që ushqehen me frikë dhe izolim.

Mesazhi nga Brukseli ishte më shumë se diplomatik. Ishte paralajmërim. BE-ja po lëviz. Mali i Zi po avancon në negociata, Shqipëria po fiton ritëm, ndërsa rajoni po futet gradualisht në mekanizma ekonomikë dhe financiarë europianë përmes Planit të Rritjes dhe integrimit në SEPA. Edhe Maqedonia e Veriut përfiton nga kjo paketë financiare, por a po ecim realisht drejt Europës apo vetëm po marrim fonde pa transformuar shtetin?

Në vend që të fokusohet tek përmbushja e reformave kyçe, pushteti aktual ndërton narrativë politike mbi idenë se “Maqedonia nuk duhet ta presë Europën”. Kjo tingëllon si vetëbesim politik, por në praktikë po shndërrohet në justifikim për stagnim. Sepse askush në Bruksel nuk po kërkon nënshtrim nga Shkupi. Ajo që kërkohet është sundim i ligjit, luftë kundër korrupsionit, administratë funksionale dhe institucione të pavarura. Pikërisht ato fusha ku vendi po ngec.

Ironia është se Maqedonia dikur konsiderohej histori suksesi në rajon. Para dy dekadash ishte ndër vendet më të avancuara në procesin eurointegrues. Sot është në pozitë defensive, duke humbur hapin edhe ndaj venE madhee që dikur i shikonte nga lart. Kjo nuk ndodhi për shkak të mungesës së mbështetjes europiane, por për shkak të politikave të brendshme të ndërtuara mbi kalkulime elektorale dhe jo mbi interesa afatgjata shtetërore.

Retorika e patriotizmit të rremë ka prodhuar një klimë ku çdo kompromis paraqitet si tradhti, ndërsa çdo bllokadë si fitore kombëtare. Në këtë atmosferë, qytetarët janë lodhur nga pritja e pafundme për drejtësi, zhvillim dhe perspektivë. Të rinjtë po largohen masivisht jo sepse nuk e duan vendin, por sepse nuk besojnë më se sistemi mund të ndryshojë.

Në fakt, problemi më i madh nuk është vetëm ngecja drejt BE-së. Problemi është se stagnimi po normalizohet. Shoqëria po mësohet me krizën, me korrupsionin, me ikjen e trurit dhe me mungesën e shpresës. Kjo është humbja më e madhe e një shteti që 35 vjet pas pavarësisë ende nuk ka arritur të ndërtojë konsensus për drejtimin strategjik të vendit.

Evropa sot po ofron momentum gjeopolitik që mund të mos përsëritet për dekada. Nëse edhe kjo mundësi humbet, atëherë përgjegjësia nuk do të jetë e BE-së, por e elitave politike që për vite të tëra e shndërruan integrimin evropian në mjet propagande dhe jo në projekt shtetëror.

Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të presin. Dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë bëhet e qartë se Maqedonia nuk po vonohet sepse Europa nuk e do, por sepse politika vendase ende nuk ka vendosur seriozisht nëse dëshiron të ecë përpara apo të jetojë përgjithmonë me mitin e viktimës së përhershme.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter