Nga Blerim Shala
Kushdo që pyetet këndej pari, në këtë Kosovën tonë, çka janë zgjedhjet në një demokraci parlamentare dhe për çka shërbejnë ato, natyrisht që me të parën do të përgjigjet që qytetarët kudo në demokraci, përfshirë këtu edhe Kosovën, me zgjedhje shprehin vullnetin e tyre të lirë për ta bërë vendin me pushtet lokal dhe qendror.
Pra, i gjithë ky ushtrim i demokracisë ka për qëllim legjitimimin e një pushteti të përkohshëm, apo afatmesëm (realisht), brenda kornizës legale të përhershme (deri në ndryshimin e saj eventual përmes mekanizmave të përcaktuara kushtetuese dhe ligjore).
E gjitha pra duket e thjeshtë, e qartë, e vetë-kuptueshme.
Por jo më në Kosovë. Së paku që nga fillimi i vitit të kaluar, apo qysh prej zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025.
Një shpjegim që na rri (mbase), në maje të gjuhës të gjithëve është që përmes votimit të lirë (këtu së paku nuk ka dilemë që tek ne në mënyrë të lirshme shprehet vullneti politik), ne nuk po u japim mandat politikanëve të krijojnë pushtetin qendror të vendit, por ta paralizojnë këtë pushtet.
Diku pra po këputet, me vetëdije, me qëllim, ajo rrjedha e logjikshme që lidhë kutitë e votimit me sallën e Kuvendit të Kosovës, i cili është burim i të gjithë pushtetit në nivelin qendror të Kosovës.
Në vend se të shkohet deri në fund të këtij procesi, gjithçka po kthehet në fillim, apo, në shkollat e vendit që për një ditë bëhen qendra të votimit, duke na bërë me dije që nuk e kemi kaluar ‘klasën’, apo që do ta përsërisim vitin shkollor politik, nëse mund të thuhet ashtu.
Në të vërtetë, qe dy herë (së paku), zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë janë ë thuash identike me hulumtimet e opinionit publik, të cilat janë gjithnjë e më të popullarizuara ndër ne (si kudo në Botën demokratike).
Natyrisht, hulumtimet janë hulumtime, e zgjedhjet janë zgjedhje, kur flitet për saktësinë e rezultateve.
Asgjë nuk mund të krahasohet me statistikat e votimit të lirë.
Por tej këtij fakti të qëndrueshëm, tash e sa koha pra, në thelb, zgjedhjet janë identike me hulumtimin e bindjeve të qytetarëve.
Dihet që këto matje të veçanta të disponimit të qytetarëve shërbejnë për të kuptuar gjendjen në shoqërinë kosovare dhe preferencat politike të tyre. Pra, këtu farë efekti të drejtpërdrejtë politik, e lëre më ligjor, nuk ka. Nuk mund dot të themelohet një legjislaturë e Kuvendit të Kosovës bazuar në rezultatet e kësaj matjeje të disponimit politik në vend. Sepse ashtu do të ishte shumë lehtë. Nuk do të kishim nevojë fare të votojmë shpesh apo me afat/ me kohë.
Por ja që efekti i votimit tonë në dy rastet e kaluara është po i njëjti me këtë të hulumtimit të vullnetit të opinionit publik.
Është e vërtetë që deputetët po e marrim mandatin, që legjislatura e re po formohet, madje, herën e fundit edhe Qeveria u bë, por në fund të fundit, efekti i pritur, i duhur, i synuar, nuk po përmbyllet, sepse pushteti qendror nuk po formohet në tërësinë e tij dhe gjithçka po i kthehet, siç e kemi zakon të themi, sovranit (popullit) për të vendosur.
Po ky sovrani/ populli, u mbytë duke vendosur por gjë dobi prej kësaj pune nuk po del.
Kështu së paku ishte në dy shembujt/ zgjedhjet e fundit.
Sovrani nuk mund të flet shpesh, sepse ashtu nuk është paraparë askund në Botën demokratike.
Ai flet rrallë e përmallë, si do të mund të thuhej, ashtu që t’u jepet fjala dhe vendimmarrja politikanëve në Kuvend, në Qeveri, në Presidencë.
Çka po ndodhë në këto dy vitet e fundit është që kjo logjikë, kjo domethënie e demokracisë parlamentare është zhbërë nga ana e atyre që janë të thirrur, më shumë se gjithë ne të tjetër, ta mbrojnë dhe ta fuqizojnë atë.
Kështu, vetëm sa dobësohet demokracia parlamentare në Kosovë. Dhe ky jo vetëm që është lajm i keq por edhe lajm i rrezikshëm për Kosovën.



