Vizioni i Vjosa Osmanit po bashkon rreth vetes një grup personalitetesh të jashtëzakonshme, duke krijuar një urë të fuqishme mes suksesit ndërkombëtar dhe nevojave të Kosovës, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Ky ekip i ri përbëhet nga profesionistë që kanë shkëlqyer në qendrat më të mëdha evropiane, si Dr. Sci. Albulena Bilalli, e cila vjen me një përvojë mbresëlënëse nga Kroacia.
Bilalli ka shënuar një arritje historike si doktoresha e parë e huaj në Fakultetin e Grafikës në Universitetin e Zagrebit, duke u vlerësuar me gradën më të lartë “Summa Cum Laude”, dhe tani po e orienton kontributin e saj shkencor drejt hulumtimeve strategjike në Trepçë.

Kësaj fryme profesionale i bashkohet edhe Dr. Sci. Bardhyl Hasanpapaj, një ekspert i spikatur i sundimit të ligjit me një bagazh të pasur akademik nga Gjermania dhe Universiteti i Firences në Itali.
Hasanpapaj, i cili ka udhëhequr projekte madhore për organizata si BE dhe USAID, NDI, përfaqëson intelektualin që dijen e fituar në Evropë dëshiron ta vërë në shërbim të shtetndërtimit të Kosovës, duke mbetur gjithmonë një zë i arsyeshëm dhe i ndershëm në publik.

Nga ana tjetër, zëri i diasporës fuqizohet me Brikena Muharremin, avokaten e parë shqiptare të kualifikuar në Britaninë e Madhe.
Me një karrierë mbi dydekadëshe si barrister në Angli dhe Uells, Muharremi sjell përvojën e saj nga sistemet juridike më konkurruese në botë, pa i shkëputur kurrë lidhjet me rrënjët dhe komunitetin shqiptar atje.
Përkrah këtyre emrave të shkencës dhe ligjit, qëndron figura simbol e qëndresës dhe suksesit, Fahrije Hoti.
Si një nënë që arriti të mposhtë dhimbjen dhe pasojat e dhunës së regjimit, ajo u shndërrua në një ndërmarrëse të suksesshme që jo vetëm rindërtoi jetën e saj, por hapi rrugë e shpresë për qindra gra të tjera.
Bashkimi i këtyre profileve, nga majat e akademisë dhe drejtësisë ndërkombëtare e deri te forca morale e Fahrije Hotit, tregon një përkushtim të palëkundur për të ndërtuar një të ardhme ku dija, integriteti dhe guximi janë shtyllat kryesore të shtetit të Kosovës. (INA)



